Sali Berisha në konferencën për shtyp ka sulmuar dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Arben Kraja, që sipas tij kanë fshehur akte shumë të rëndësishme në lidhje me inceneratorin e Tiranës.
“Arben Kraja ish hetuesi i sigurimit të shtetit ka dënuar në vitin 1990-të një të ri në Shkodër për fajin e vetëm se nuk pranonte moralin komunist. Kraja qëndron në Prokurorinë e Shtetit në kundërshtim flagrant me ligjin aktual të prokurorisë dhe Kushtetës. Se cili është integriteti i tij për të qenë gjyqtar është kjo dëshmi. Kraja është një person i papërgjegjshëm nuk duhet të merret kurrë me dosjen Veliaj, sepse nipi dhe mbesa e tij janë bashkëpunëtor më të afërt të Veliajt në Bashkinë e Tiranës. Prokurori tjetër Prençi një mik i njohur i McGonigal nuk mund të hetonte kurrë po të kishte minimumin e ndërgjegjes së zyrtarit, pasi lidhjet e tij me Zoton të strukturuara nuk lejon hetimin e aferës së shekullit nga Premçi, pra janë këta të dy persona të cilët kanë injoruar çdo dokument në lidhje me Inceneratorin e Tiranës”, tha Berisha.
Ndërsa demokrati Belind Këlliçi tha se, ne nuk kemi aspak si qëllim ta anatemojmë figurat e prokurorëve por faktet janë kokëforte dhe flasin ndryshe. I ndalur te gjetjet e një raporti konfidencial të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2019, Këlliçi thekson se kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është haptazi në shkelje të ligjit për vetëqeverisjen vendore sa i përket ndërhyrjeve të bëra për inceneratorin e Tiranës.
“Nuk kemi për qëllim që të anatemojmë Prokurorët, por faktet janë kokëforta dhe flasin ndryshe. Dosja hetimore e inceneratorit të Tiranës tashmë i ka kaluar 3 vite dhe prokurorët nuk kanë administruar në kohë dokumentacionin zyrtar i cili tashmë po zhduket.
Prokurorët as nuk e ciltojnë materialin zyrtar, por e cungojnë. Kështu ka ndodhur edhe me këtë raport që do të shihni, i cili është raporti konfidencial i KLSH -së dhe ne do t’ju paraqesim disa fragmente sot që janë studiuar nga grupi ynë i ekspertëve. Raporti i auditimit në dhjetor të 2019.
Prokuroria e Elbasanit pati regjistruar 2 procedime penale për grup të strukturuar criminal dhe ka kryer përgjime të cilat në fakt janë administruar në dosjen e Arben Ahmetajt në korrik të këtij viti nga vetë zoti Dumani. Ndërsa për aferën më të madhe të shekullit që është inceneratori i Tiranës nuk ka asnjë përdorim të metodave speciale.
“Nga auditimi i MFE, për pjesën e projektit të financuar nga njësitë e vetëqëeverisjes vendore, është shprehur pa koment, duke mos kundërshtuar projektin, bazuar vetëm në “dakordësinë në parim mbi studimin e fizibilitetit” të kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill”- thuhet në raport.
Pra në këtë moment Erion Veliaj ka shkelur ligjin për vetëqeverisjen vendore, pasi të vetmin autoritet dhe kompetencë që ai ka është propozimi i buxhetit në Këshillin Bashkiak dhe duhet të jetë Këshilli Bashkiak ai i cili i voton dhe merr vendimin për angazhime financiare”- tha Këlliçi.
Top Channel