Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së kanë arritur një marrëveshje për Paktin mbi Emigracionin dhe Azilin, e pohuar kjo nga nënkryetari i Komisionit, Margaritis Schinas.
“Kemi hedhur një hap përpara në pesë shtyllat kryesore të Paktit. Rruga për të arritur në këtë pikë ka qenë e gjatë. Por ne ia dolëm, e kryem, u shpreh ai. “Do të jenë europianët që do të vendosin se kush do të vijë e kush do të qëndrojë në BE, dhe jo trafikantët”, u shpreh nga ana e saj presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen. Një sfide europiane, do t`i japim zgjidhje europiane, shtoi ajo.
“Shtetet anëtare në kufijtë tanë të jashtëm duhet të menaxhojnë emigracionin e paligjshëm, i cili shpesh vë në vështirësi mbrojtjen e tyre kufitare. Pakti do të ofrojë një përgjigje efikase evropiane, duke siguruar që vendet e bllokut të bashkëpunojnë për këto përpjekje në mënyrëtë përgjegjshme, por edhe t`i mbrojë ata kur të kenë nevojë. Ai i ofron BE-së instrumentat e duhur për të reaguar shpejt ndaj situatave të krizës dhe përballjes me një numër të madh të beftë klandestinësh”, u shpreh Von der Leyen.
Po ndërtojmë partneritete me vendet e origjinës dhe tranzitit, për të luftuar trafikantët dhe për të garantuar riatdhesimin sa më efikas pa të drejtë qëndrimi në BE, shtoi Von der Leyen. Çelësi i menaxhimit të duhur të emigracionit të paligjshëm qëndron tek ndërveprimi mes këtyre dy shtyllave, nënvizoi ajo. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu i saj britanik Rishi Sunak prezantuan vetëm pak ditë më parë një projekt të përbashkët pikërisht mbi riatdhesimet vullnetare. Jehona e marrëveshjes së vulosur sakaq mes Tiranës dhe Romës zyrtare për emigrantët, vazhdon në shtypin Italian.
L`Espresso ka bërë së fundi një përllogaritje të kostos së saj, duke e vendosur tek 300 milionë eurot, teksa liston mangësitë e infrastrukturës e zonave të caktuara për kampet në Shëngjin e Gjadër si mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza, apo nevoja për të prerë pemë e ndërtuar rrugë dhe për gjeneratorë. 230 milionë, evidenton e përjavshmja e njohur, vlen protokolli i firmosur nga të dy vendet, ndërsa 75 milionë të tjera nevojiten për “eksportimin dhe lidhjen e sistemit gjyqësor Italian me atë shqiptar.
Top Channel