Zhvendosen nga Durrësi drejt Fierit të gjithë të burgosurit “VIP”.
Të zhvendosurit janë Vangjush Dako; Lefter Koka; Alqi Bllako; Oltion Bistri; Safet Gjici; Lefter Alla; Dedan Gjoni; Fran Tuci; Xhevahir Lita; Fredi Beleri.
Sipas burimeve të Anila Hoxhës, lëvizjet e të paraburgosurve janë kryer befasisht pas ngjarjeve në Peqin dhe informacioneve se të burgosurit në burgun e Durrësit po trajtoheshin në mënyrë të privilegjuar, me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Në sektorin “Vip”, mbaheshin ish-zyrtarë, ish-prokurorë e ish-ministra në gjykim apo nën hetim për korrupsion, shkelje në tendera dhe shpërdorim detyre.
Vangjush Dako, ish-kryetari i bashkisë Durrës, është arrestuar pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit, akuzohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Alqi Bllako, ish-deputeti i PS, akuzohet për “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Oltion Bistri, ish-shefi i Operacionales në Policinë e Shtetit, i dyshuar për nxjerrje sekreti dhe shpërdorim detyre, është arrestuar në kuadër të “Metamorfozës”.
Safet Gjici, ish-kryebashkiaku i Kukësit, është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”.
Lefter Alla, ish-kryebashkiaku i Bulqizës është vënë në pranga, pasi mbi të rëndon akuza “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Dedan Gjoni, ish-shefi i krimeve të Komisariatit nr 6, akuzohet për veprën penale sigurim i kushteve për kryerjen e një vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Fran Tuci, ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, akuzohet për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Xhevahir Lita, ish-drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, akuzohet për korrupsion.
Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Himarës, por jo i betuar, akuzohet për korrupsion në zgjedhje.
Top Channel