Kur TikTok u ngrit në vitin 2020, me klipe të shkurtra vallëzimi ose komedi duke ofruar argëtim shumë të nevojshëm për shumë përdorues në fillimin e pandemisë Covid-19, ai filloi një garë të fuqishme me videot e shkurtra.

Papritur, Facebook, Instagram, YouTube dhe platforma të tjera sociale për të mos ngelur mbrapa nxituan të shfaqnin edhe ato produkte të ngjashme, duke inkurajuar përdoruesit të bënin video me gjatësi deri në një minutë që do të shfaqeshin vertikalisht, dhe në momentin që klikoje në to, ai material i shkurtër pasohej nga një sërë video-rekomandimesh të pafundme se çfarë përdoruesit të shikonin më pas. Platformat kaluan vitet në do të pasonin duke u përpjekur të arrinin popullaritetin e TikTok, veçanërisht në mesin e adoleshentëve.

Mirëpo tani, pionieri i videove të shkurtra po ndryshon kursin dhe po i shtyn përdoruesit të bëjnë dhe konsumojnë video më të gjata. Të shtunën, TikTok do të heqë zyrtarisht “Fondin e Krijuesit” të tij origjinal dhe krijuesit që duan të fitojnë para nga përmbajtja e tyre do të duhet t’i bashkohen programit të ri të kreativitetit Beta, sipas të cilit ata do të duhet të bëjnë video më të gjata se një minutë nëse duan të paguhen nga aplikacioni.

Zhvendosja e TikTok nga kontente të shkurtra në video me përmbajtje të gjatë është në një farë mënyre një përmbysje e fatit — ai tani po ndjek kolegët e tij për të trashëguar një format përmbajtjeje që shpesh është më fitimprurës. Strategjia gjithashtu mund të inkurajojë përdoruesit të shpenzojnë edhe më shumë kohë në një aplikacion që disa adoleshentë tashmë thonë se po e përdorin “pothuajse vazhdimisht”.

Por disa krijues të TikTok janë të frustruar me këtë lëvizje, duke u shqetësuar se do të largojë atë që fillimisht e bëri TikTok kaq të popullarizuar: aftësinë për të lëvizur shpejt nëpër shumë lloje të ndryshme përmbajtjesh dhe që pothuajse kushdo të krijojë me lehtësi video pa planifikim ose burime të gjera.

“Unë nuk kam gjithmonë një përmbajtje timen një minutëshe,” tha Nicki Apostolou, një krijuese e TikTok me afro 150,000 ndjekës të njohur si “recycldstardust”, e cila bën kontente në lidhje me historinë dhe kulturën e Amerikës vendase në aplikacion.

“Ndjehem sikur kjo po i lë jashtë krijuesit, pasi ka kaq shumë krijues që erdhën në TikTok sepse ishte aplikacioni video me formë të shkurtër dhe tani ata duan ta kthejnë në një ‘mini YouTube‘”- përfundoi ajo.

Zëdhënësi i TikTok, Zachary Kizer, tha në një deklaratë se kompania zhvilloi Programin e ri të Kreativitetit “bazuar në të dhënat dhe reagimet që kemi marrë nga Fondi i mëparshëm i Krijuesit. Ndërsa vazhdojmë të zhvillojmë mënyra të reja për të shpërblyer krijuesit dhe për të pasuruar përvojën e TikTok, ne vlerësojmë reagimet dhe njohuritë e drejtpërdrejta nga komuniteti ynë për të ndihmuar në informimin e vendimeve tona.”

“Modeli i videos me formë të shkurtër ishte vërtet i dobishëm kur TikTok u lançua për herë të parë, ata mund të tërhiqnin njerëz shumë shpejt në platformë. Por platforma është duke ndryshuar vazhdimisht,” tha Krysten Stein, një studiues kritik i studimeve të medias dhe kandidat për doktoraturë në Universitetin e Illinois Chicago.

“Unë besoj se TikTok tani po mendon: “Ne duhet t’u tregojmë reklamuesve se mund t’i mbajmë njerëzit të qëndrojnë në një video edhe më gjatë. Por jam i interesuar të shoh se si do të përgjigjen shikuesit sepse ajo që i ka mbajtur njerëzit në aplikacion është se videot ishin të shkurtra“, tha Stein.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA