Duke e përshkruar këtë si një lëvizje në funksion të një integrimi më të mirë, Gjermania njoftoi se nuk do të pranojë më imamë të dërguar nga Turqia, por do të trajnojë vetë klerikë myslimanë.
Njoftimi i ministrisë së brendshme gjermane shpjegon se program ekzistues i trajnimit në bazën e të cilit dërgohen imamë turq në xhamitë gjermane, do të ndërpritet gradualisht.
Përgatitja e imamëve tani do të kryhet në tokën gjermane. Për këtë qëllim, ministria ka vulosur një marrëveshje të re me autoritetin fetar turk Diyanet dhe grupin koordinues turko-islamik DITIB, që parashikon përgatitjen e rreth 100 imamëve në vit. Ata do të zëvendësojë pjesë-pjesë 1000 klerikët e trajnuar dhe të punësuar nga Diyaneti turk.
“Ne kemi nevojë për liderë fetarë që flasin gjuhën tonë, njohin vendin tonë dhe mbrojnë vlerat tona,” deklaroi ministrja e brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser.
“Ne duam që imamët të marrin pjesë në dialogun midis feve dhe të diskutojnë çështjet e besimit në shoqërinë tonë,” shtoi ajo.
Sipas Konferencës Gjermane për Islamin (DIK), në Gjermani jetojnë rreth 5.5 milionë myslimanë, ose afërsisht 6.6% e popullsisë. Vendi numëron rreth 2500 komunitete të xhamive, nga të cilat 900 menaxhohen nga DITIB, shoqata më e madhe islamike e Gjermanisë, por që së fundi ështëe akuzuar se vepron si një zgjatim i qeverisë turke.
Top Channel