BE-ja i përgjigjet Serbisë: Marrëveshja dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese

15/12/2023 11:33

Bashkimi Europian reagoi ndaj pretendimeve të Serbisë se nuk ka ndërmend të zbatojë pjesë të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, dhe aneksin e zbatimit të saj. Kryeministrja serbe, Ana Bernabiç çoi në Bruksel dokumentin që tregonte hezitimin e Beogradit dhe e konsideronte marrëveshjen e arritur në Ohër jo ligjërisht detyruese.

Përmes zëdhënësit Peter Stano, BE-ja tregoi se në fakt, ujdia është pikërisht e tillë.

“Bashkimi Evropian përsërit se marrëveshja është ligjërisht detyruese, në tërësi, për të dyja palët: Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës europian”, deklaroi Stano.

Zëdhënësi hyri këtë herë në detaje më të imtësishme duke shpjeguar se ujdia dhe aneksi për implementimin e saj “janë bërë ligjërisht të detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të  përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell në 18 mars 2023”.

“Ky ka qenë qëndrim i vazhdueshëm i BE-së, i cili ka qenë i komunikuar publikisht në disa raste”, theksoi Stano. Burimet e BE-së kanë sqaruar se vlerësimet për natyrë detyruese të marrëveshjes janë në përputhje me nenin 11 të Konventës së Vjenës për ligjin rreth traktateve, i cili thotë se “pajtimi i një shteti me një marrëveshje detyruese mund të shprehet përmes firmës, shkëmbimit të instrumenteve që përbëjnë marrëveshje, ratifikimit, pranimit, miratimit apo me çfarëdo mjeti tjetër, nëse palët në atë mënyrë kanë rënë dakord.

Dhe palëve në Ohër u është bërë e qartë hollësisht  kjo mënyrë e dhënies së pëlqimit. Të dy liderët u pajtuan aty për aty, dhe nuk përcollën asnjë kundërshti në praninë e përfaqësuesit të lartë, Borrell, dhe të dërguarit për dialog, Mirosllav Lajçak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA