Qarkullonin në Shkodër me pistoletë dhe lëndë narkotike, në pranga dy të rinj

14/12/2023 11:50

Dy të rinj kanë rënë në pranga në Shkodër, pasi qarkullonin në qytet me pistoletë dhe lëndë narkotike, në automjet.

Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, në rrugën “Ethem Osmani”, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Audi” me të cilin qarkullonin R. V. 18 vjeç dhe N. K, 23 vjeç.

Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur pistoletën që dyshohet se e posedonte 18-vjeçari dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis që dyshohet se e posedonte 23-vjeçari.

Arma e zjarrit pistoletë dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin në pronësi të N. K. dhe 2 celularë.

“Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara në zbatim të planeve operacionale “Sundimi i ligjit” dhe “Tempulli”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, nga strukturat e DVP Shkodër është goditur një rast në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe një rast në fushën e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore , specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë dy të rinjtë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA