Inside Story/ “Tarifa ime është 3%, s’ka nevojë për bujë”, i infiltruari që zbërtheu grupin ‘Crypto’ të parave të dyshimta
Sipas protokollit të dializës çdo pacient që merr shërbimin duhet të trajtohet me dietë ushqimore të personalizuar në varësi të gjendjes klinike.
“Ushqimi është i njëjtë prej 4 vitesh nuk ka ndryshuar, dhe për të gjithë është njëlloj“, u shpreh Isa Muhadri, pacient me dializë.
Duke qenë e rëndësishme për terapinë, dieta ushqimore është parashikuar në kontratën koncesionare që rezulton se është shkelur rëndë nga kompania koncesionare DiaVita. Kjo, është konstatuar edhe nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
U vërejt se, për të gjithë pacientët ofrohej e njëjta dietë ushqimore e pa personalizuar për çdo pacient, ndonëse kontrata e koncesionit në Aneksin 8 ka të përcaktuar që dietologu do të punojë më kohë të pjesshme në çdo qendër.
Pra, këto shkelje të konstatuara, rrezikojnë rëndë një pacient si Arditi 34-vjeçar. Ai ka sëmundje bashkëshoqëruese dhe ushqimi i tij duhet të jetë i diferencuar.
Arditi ka kaluar 3 herë vdekje klinike në Fier, para se të zhvendosej në Tiranë për një shërbim më të specializuar. Por, auditimet zyrtare zbulojnë mangësitë në qendrat e dializës së kompanisë DiaVita, që rrezikojnë jetën e pacientëve. Aty nuk janë të pranishëm mjekët specialist gjatë terapive.
Në të pesë qendrat e hemodializës, mjeku nefrolog është i punësuar me kohë të pjesshme po kështu në disa raste edhe mjeku i përgjithshëm, ka mosplotësim të numrit të punësimit për mjekët e përgjithshëm, nuk është plotësuar asnjë qendër me një mjek si: endokrinologë, gastrohepatologë, dietologë, teknikë laborant.
Jeta e pacientëve me sëmundje bashkëshoqëruese është edhe më e vështirë. Në shumë raste fatura e medikamenteve bëhet e papërballueshme. E tillë është familja e Ladimir Gjikës, i cili është baba i 4 fëmijëve.
Dy janë autikë, ndërsa djali 15-vjeçar është në dializë. Adoleshenti ka edhe sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Fatura mujore për trajtimet e tij shkon plot 50 mijë lekë të reja.
Top Channel