Pjesë e bandës së “Babagjyshëve”! Urdhër për futjen e Albert Kupës në regjimin e posaçëm “41 biss”

11/12/2023 16:06

Albet Kupa alias Ilir Kupa, i njohur si drejtues i “bandës së babagjyshëve”, do të vuaj pjesën e mbetur të dënimit në regjimin e posaçëm “41 biss”.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka urdhëruar futjen e Kupës në regjimin e posaçëm. Albet Kupa aktualisht po vuan dënimin për 6 vepra të ndryshme penale në burgun e Peqinit. Menjëherë pas urdhërit të ministrit ai do të transferohet në “41 biss”.

Ministri i Drejtësisë paralajmëron se në bashkëpunim me SPAK, të tjerë të dënuar do t’i nënshtrohen këtij regjimi.

“Jemi të vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë në të gjitha burgjet e vendit dhe cilido i dënuar thyen rregulloren e burgjeve, apo kryen vepra penale në burg duke cënuar rendin dhe sigurinë në IEVP, do t’i nënshtrohet këtij regjimi sipas ligjit”- tha Manja.

Albert Kupa në vitin 2014-2015, ka qenë i përfshirë në aktivitetin kriminal të grupit të “Babagjyshëve”, pjesëmarrës në disa vjedhje/grabitje, si dhe dhënien e vlerave monetare me përqindje. Gjithashtu, ka qenë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti grek.

Ilir Kupa u dënua me 25 vite burg nga Gjykata për Krimet e Rënda në maj të vitit 2016, dënim që u zbut në 16 vjet e 8 muaj në Apel. Vendimi i Apelit u prish nga Gjykata e Lartë në nëntor 2022 dhe në fuqi u la dënimi me 25 vite.

Sa i përket dosjes greke, Ilir Kupa është njëri ndër të dënuarit shqiptarë që u arratis me bujë në vitin 2013 nga burgu i Trikallas në Greqi, së bashku me 10 shqiptarë të tjerë, duke shkaktuar tërmet në sistemin e drejtësisë në shtetin helen. Ai gjithashtu u fajësua për “grup të strukturuar kriminal” dhe “vrasje me dashje ndaj funksionarit publik”, mbetur në tentativë, në dëm të dy gardianëve të burgut grek. Ndër të arratisurit me Kupën nga burgu i Trikallës, ishin edhe Admir Muratajn e Klement Cala, të përfshirë në vitin 2019 në grabitjen e miliona eurove në Rinas, ku Murataj mbeti i vrarë.

Aktualisht në regjimin “41 biss” janë Viktor Ymeri, Aleksandër Llanaj, Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri, Kelend Çala, Eldi Çala dhe Redjan Rraja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA