Rrjetet sociale sa të mira janë për shpërndarjen e lajmit në kohë reale, aq edhe ndikojnë shëndetin tonë mendor.
Ndërkohë që lufta mes izraelitëve dhe palestinezëve vazhdon, duke shkaktuar mijëra viktima, celularët tanë gjithashtu po bombardohen me foto dhe video nga vatra e luftës.
Valentina Asabella, mjeke psikiatre thotë: “Është tjetër gjë kur ti ke informacion që në një zonë të caktuar të globit, të dish që po zhvillohet luftë dhe tjetër gjë që ta shohësh me video totalisht të pacensuruara, të pafiltruara, ku shfaqen fëmijë, gra, të plagosur, të vdekur, të ngujuar, të paushqyer. Këto pamje dhe histori që shpërndahen nga rrjetet sociale me detaje tronditëse, shkaktojnë ç’rregullime të ankthit, stres, pagjumësi, mungesë oreksi, mbyllje në vetvete, frikë se lufta do të vijë edhe këtu tek ne, se askush nuk është i mbrojtur.”
“Stresi postraum nga lufta nuk do të jetë vetëm për popullatën ku luftohet, por për gjithë popullatën e botës. Rekomandojmë që fëmijët të kontrollohen ku qëndrojnë në rrjetet sociale, në shkolla të zhvillohen fushata sensibilizuese me mësues dhe psikologë. Nuk jam për atë që të mos trajtohet kjo çështje dhe të mos kesh informacion rreth saj, por jam kundër detajeve që që shqetësojnë dhe të sëmurin”, shton mjekja.
Top Channel