Më 10 dhjetor bota përkujton ditën e miratimit të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuar  në Paris.

Në të njëjtën ditë të vitit 1948 me shpresën për të krijuar një botë më të mirë pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe tre vite pas fitores së aleatëve mbi nazistët ishte hera e parë që vendet kishin rënë dakord të mbronin të drejtat dhe liritë themelore në një shkallë universale, për të gjithë njerëzit.

Ishte gjithashtu një nga arritjet e para të Kombeve të Bashkuara – organi i sapolindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore – dhe frymëzoi zhvillimin e ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Edhe pse jo ligjërisht detyruese, deklarata thekson supremacinë e të drejtave individuale mbi ato të shteteve.

Presidenti i vendit, Bajram Begaj për 75-vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut theksoi rëndësinë e anëtarësisë për herë të dytë të Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, si dhe garanton angazhimin e institucioneve shqiptare në mbrojtjen dhe promovimi e të Drejtave të Njeriut.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut- Dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut mbush sot 75 vjet.
Kjo Deklaratë është ideali i përbashkët për t’u arritur nga të gjithe popujt e gjithe kombet me qëllim që çdo individ të gëzojë në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminin liritë dhe të drejtat themelore njerëzore.
Është një përkim i bukur që në 75 vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë e promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë” , shkruan Presidenti i Republikës në mesazhin e tij.

Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se Kuvendi është i vendosur në mbrojtje të të drejtave e lirive të qytetarëve.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e cila shënon gjithashtu 75-vjetorin e miratimit nga OKB të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Prej 10 tetorit 2023, Shqipëria është për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB dhe është tashmë në vijën e parë të mbrojtjes së këtyre të drejtave. Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur në mbrojtje të të drejtave e lirive të qytetarëve, përmes modernizimit të legjislacionit, mbikqyrjes së institucioneve shtetërore dhe mbështetjes së institucioneve të pavarura.
Dita e të Drejtave të Njeriut shënon fundin e fushatës botërore dhe fushatës sonë kombëtare të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Të drejtat e grave e vajzave dhe mbrojtja e tyre nga dhuna me janë në krye të prioriteteve të Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne po punojmë për përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e fuqizimit ekonomik të grave e vajzave, rritjen e aksesit të tyre në burimet e shoqërisë dhe adresimin e kësaj çështjeje si një problem i të gjithë shoqërisë”, shkruan znj.Nikolla.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca theksoi se angazhimi ynë ndaj të drejtave të njeriut duhet të matet me veprimet konkrete që ndërmarrim për të hequr barrierat, për të përforcuar zërat e margjinalizuar dhe për të korrigjuar padrejtësitë sistematike.

“Sot, le të reflektojmë dhe të përballemi me realitetet brenda kuadrit të të drejtave të njeriut në Shqipëri, ndërsa analizojmë rrugëtimin e Shqipërisë drejt drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit për të gjithë. Në ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në rolin tim si Avokate e Popullit, nuk mund të mos theksoj domosdoshmërinë e një reflektimi gjithëpërfshirës mbi sfidat aktuale. Shqipëria ka bërë hapa të qenësishme, megjithatë ne duhet jo vetëm të evidentojmë arritjet, por të kemi guximin për t’u përballur me dështimet dhe të zotohemi e të marrrim hapa korrektues menjëherë. Kjo ditë duhet të jetë dhe duhet të ndihet për këdo si një katalizator për ndryshimin, një moment ku ne angazhohemi kolektivisht për të adresuar shkaqet rrënjësore të shkeljeve të të drejtave të njeriut, për të shkuar përtej retorikës dhe për të siguruar që kornizat tona ligjore dhe shoqërore të mbrojnë dhe fuqizojnë vërtet çdo qytetar. Angazhimi ynë ndaj të drejtave të njeriut duhet të matet me veprimet konkrete që ndërmarrim për të hequr barrierat, për të përforcuar zërat e margjinalizuar dhe për të korrigjuar padrejtësitë sistematike”, tha Ballanca.

Edhe ambasada amerikane në Tiranë ka përshëndetur ngjarjen përkujtimore. Në një postim në rrjete sociale ambasada bën me dije se Dita e të Drejtave të Njeriut shënon gjithashtu fundin e fushatës botërore të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

“Kjo ditë është një kujtesë se, përmes veprimeve tona, ne të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore – pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, opinionet politike ose opinionet e tjera, kombësia ose përkatësia sociale, pasuria, lindja apo përcaktime të tjera”, shkruhet më tej në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA