Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është akuzuar se e ka tradhtuar Republikën e Francës, pasi mori pjesë në një ceremoni hebraike brenda rezidencës së vet zyrtare, Pallati Elysee.
Në një vend ku ndarja e fesë nga shteti është fe më vete, thotë BBC, ndezja e një qiriri për festën e Hanukkah-së brenda Salle des Fêtes u denoncua menjëherë nga politikanë të djathtë e të majtë francezë. Kreu i shtetit francez kishte ftuar kryerabinin e vendit, Haïm Korsia për të ndezur të parin nga tetë qirinjtë në kremtimin që shënon nisjen e festivalit hebre të dritave.
Rasti u shfrytëzua edhe për t`i dhënë Macronit një çmim për përpjekjet e tij kundër antisemitizmit. Por në momentin kur videoja e ceremonisë u shfaq në rrjetet sociale, ajo bëri bujë të madhe. Opinionistë vendas u hodhën menjëherë në sulm duke thënë se presidenti kishte bërë një gabim të madh duke lejuar hyrjen e fesë në ato që konsiderohen si “vendet e shenjta të presidencës.
“Me sa di unë kjo është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Është një shkelje e sekularizmit,” tha David Lisnard, një figurë e njohur e opozitës së krahut të djathtë dhe gjithashtu, kryetar bashkies i Kanës. “Elysee nuk është një vend për fenë. Nuk mund të bëhet kompromis me laicizmin”, tha edhe presidentja socialiste e rajonit të Occitanie, Carole Delga. Ideja e “sekularizmit” u kthye në ligj në Francë në vitin 1905, pas vitesh të tëra beteje midis shtetit dhe Kishës Katolike Romake.
Ai i krijoi hapësirë lirisë së besimit, por i dha fund nga ana tjetër përfshirjes së shtetit tek Kisha dhe hoqi të gjitha simbolet fetare nga ndërtesat publike.
Top Channel