Foto e Gëzim Çelës

Ish-punonjësi i policisë i kthyer në narkotrafikant, u la sot në burg, me vendim të Gjykatës së Ferizajt.

Gjykata caktoi 40 ditë paraburgim për Çelën, që kërkohet nga autoritetet shqiptare. Kjo është procedurë e rregullt ekstradimi që ndiqet në Kosovë.

Për të, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar nga Interpoli, me kërkesë të datave 8 gusht 2014 dhe 1 mars 2022 të shtetit të Shqipërisë për shkak të veprave penale trafikimi me narkotik, prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit sipas Kodit Penal të Shqipërisë dhe Italisë, ngase i njëjti është dënuar me 19 vjet e 9 muaj e 29 ditë burg, argumentoi gjykata.

“Baroni i drogë” u vu në pranga një ditë më parë,  në Kosovë, ku narkotrafikanti kishte gjetur strehim në Kosovë ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të këtij viti pasi nuk mundi te vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.

Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me Kokainë.

Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90. Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.

Më herët ai ka qenë i arrestuar për “shfrytëzim prostitucioni” dhe trafik ndërkombëtar droge”.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e shtetasit A. I, në një fshat të Vitisë, ku strehohej Gëzim Çela, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatik me 15 fishekë. Sipas policisë së Kosovës, gjatë momentit të arrestimit 55-vjeçari ka qenë i shoqëruar nga dy vajza nga Shqipëria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA