Vrasja e një gruaje nga bashkëshorti në sy të fëmijëve ka tronditur komunitetin shqiptar.
Për të kërkuar drejtësi për Liridona Ademajn, një grup qytetarësh në Tiranë u mblodhën si fillim pranë Ministrisë së Brendshme dhe vijuan protestën e tyre më tej pranë Ambasadës së Kosovës në Shqipëri. “Ndalni Femicidin,denonconi dhunën” ishin mesazhet e aktivistëve të cilët kërkojnë masa emergjente për të parandaluar vrasjet me bazë gjinore.
“Gra me ëndrra për të jetuar të lumtura. Gra që duhet të gëzonin të drejtën e një jete pa dhunë, pa vdekje! Sot duhet të qëndrojmë të bashkuar jo vetëm për të treguar zemërimin tonë ndaj vrasjes së Liridonës, por për të ulëritur thirrjen për ndryshim. Duhet çrrënjosur mitizimi i gruas si pronë e burrave”, u shpreh aktivistja Xheni Karaj.
“I bëj thirrje të gjithë avokatëve dhe gjykatësve në Shqipëri dhe Kosovë: Mos u manipuloni! Mos u joshni nga paratë e burrave. Fuqia ekonomike e gërshetuar me mentalitetin patriarkal është shkaku i vrasjes së grave shqiptare. Avokatë e juristë, ju lutem qëndroni deri në fund me gratë e dhunuara”, tha Nertila Haxhia.
Në mbështetje të homazheve ishte dhe vetë ambasadori kosovar Skënder Durmishi.
“Protesta juaj është për t’u përkrahur dhe thirrjet tuaja janë shumë me vend që kërkoni drejtësi për Liridonën e ido rast të shkeljes së ligjit. Unë i bashkangjitem thirrjes që drejtësia të thotë fjalën e vet për një rast kaq monstruoz sikurse i ndodhi Liridonës“, tha ai.
Protestuesit ndajnë të njëjtin mendim për nevojën e ndryshimit të shoqërisë dhe forcimin e shtetit ligjor.
“Vrasja e grave që është burimi i jetës, këto duhet të ndalohen. Këtë e kanë në dorë vetëm institucionet e drejtësisë që të japin dënimin maksimal dhe të mos neglizhojnë proceset gjyqësore”.
Një qiri për shpirtin e Liridonës, me lutjen për të mos pasur më Liridonë të radhës.
Top Channel