Në 1000 testime 8 prej tyre rezultojnë pozitive me HIV/AIDS në Shqipëri.
Epidemia e stigmatizuar që prek vetëm komunitetin LGBTI është e gabuar. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në 30 vite kanë humbur jetën 343 shqiptarë me SIDA, teksa vetëm për vitin 2023 shënohen 15 raste në total, nga të cilat 8 janë vdekje të rasteve të reja; duke u vlerësuar nga ekspertët si një numër i lartë fatalitetesh.
“Sa i takon rasteve të reja të diagnostikuara për 2023 është 113, ku 87 meshkuj dhe 26 janë femra. 95% e rasteve me HIV/ AIDS në Shqipëri i takon rrugës seksuale, prej tyre 72% e rrugës heteroseksuale dhe 23% i përket meshkujve që bëjnë seks me meshkuj; dhe më shumë se 60% e tyre paraqiten në stade të vonshme të sëmundjes”, tha Roland Bani, koordinator i programit kombëtar HIV/AIDS, ISHP.
“Ne kemi individ që sapo janë diagnostikuar këtë vit kanë humbur dhe jetën. Të vdesësh nga HIV në 2023 është absurde, sepse bota e ka ulur me 40% vdekshmërinë, ndërsa ne kemi diagnozë të vonë. Pra rreth 70% e rasteve të diagnostikuara janë në faza të avancuara e cila e bën të pamundur dhe përfitimin mjekësor”, tha Olimbi Hoxhaj, nga shoqata e personave që jetojnë me HIV/AIDS.
Edhe pse testimet janë shtuar, specialistët e shohin ende me shqetësim informimin e personave dhe pranimin e statusit të sëmundjes. Sfida e tyre mbeten gratë shtatzëna të cilat rrezikojnë t’ia transmetojnë HIV-in foshnjave, siç ka ndodhur me dy rastet e identifikuara për këtë vit.
“Numri i testimeve për 2023 është diku te 59 mijë, 20% më shumë se viti i shkuar. Është pesëfishuar edhe numri i testimeve të grave shtatzanë krahasuar me 2021, sepse në këtë mënyrë parandalojnë transmetimin te fëmija. Kemi raste të grave shtatzanë HIV positive por që fëmija është negativ”, tha Bani.
Në ditën botërore kundër Sidës institucionet u bënë bashkë për të treguar një pasqyrë të rasteve të diagnostikuara dhe për të rritur ndërgjegjësimin e popullatës për testimin e hershëm.
Top Channel