“Fusnin qen në qeli të na sulmonin, rojet e burgut na dhunonin”, palestinezët e liruar nga burgjet izraelite pretendojnë për abuzime nga autoritetet

01/12/2023 13:52

Palestinezët që u liruan në ditët e armëpushimit, thonë se në burgjet izraelite u përballën me dhunë dhe ndëshkime kolektive.

Ata pretendojnë se janë goditur me shkopinj, janë kërcënuar me qen dhe u janë marrë rrobat, ushqimet dhe batanijet.
BBC ka intervistuar gjashtë nga palestinezët që lanë burgun ditët e kaluara. Para se të dilnim, na dhunuan, kanë treguar ata.

Një palestineze është shprehur se ka marrë dy herë kërcënime për përdhunim.

18-vjeçari Mohammed Nazzal ishte një nga të liruarit nga Izraeli këtë javë, në këmbim të grave dhe fëmijëve izraelitë të mbajtur peng nga Hamasi në Gaza. Ai ishte mbajtur në paraburgim në burgun Nafha pa asnjë akuzë që nga gushti dhe thotë se nuk e di pse u arrestua.

Dhjetë ditë më parë, thotë ai, rojet izraelite të burgut hynë në qeli me mikrofon dhe altoparlant dhe u përpoqën të provokonin të burgosurit, duke duartrokitur dhe duke bërtitur emrat e tyre. Kur e panë që nuk po reagonim thotë, thotë ai, filluan të na rrihnin.

Për gazetarin e BBC-së, ai tregoi imazhet me rreze X të trupit, ku duken frakturat në të dyja duart. Ai thotë se të burgosurit e tjerë e ndihmuan të hante, të pinte dhe të përdorte banjën dhe se nuk kërkoi ndihmë mjekësore nga rojet nga frika se do ta rrihnin përsëri.

Shërbimi i Burgut të Izraelit ka kundërshtuar historinë e Mohammedit, duke thënë se ai ishte ekzaminuar nga një mjek para se të dilte nga burgu, pa asnjë problem mjekësor të diagnostikuar dhe publikoi një video të adoleshentit duke dalë nga burgu dhe duke hipur në një autobus të Kryqit të Kuq përpara lirimit të tij, gjë që thotë se dëshmon se pretendimet e tij janë të rreme. Në pamje, duart e adoleshentit janë të pafashuara dhe duket se i janë varur anash, por gjithsesi duken shumë pak. Sipas Mohammed, ndihma e parë iu dha në autobus nga Kryqi i Kuq, por ky i fundit, i kontaktuar nga BBC, tha se “nuk flet publikisht për raste individuale”.

Pas sulmeve të 7 tetorit, sjellja e rojeve të burgut ndryshoi, sipas të riut.

“Nxorën jashtë jastëkët, dyshekët dhe rrobat, ushqimet n ai hidhnin në dysheme. Na futën qentë brenda dhe i lanë të na sulmonin. Më pas na dhunonin”, rrëfen ai për BBC. Të njëjëtn gjë tregojnë edhe të burgosur të tjerë.

Shoqata e të Burgosurve Palestinez thotë se disa roje dyshohet se kanë urinuar mbi të burgosurit e prangosur dhe se gjashtë të burgosur kanë vdekur në paraburgimin izraelit në shtatë javët e fundit.

I kontaktuar nga BBC, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit tha se të gjithë të burgosurit ishin të paraburgosur sipas ligjit. “Ne nuk jemi në dijeni të pretendimeve që keni përshkruar. Megjithatë, të burgosurit dhe të paraburgosurit kanë të drejtë të bëjnë një ankesë që do të shqyrtohet plotësisht nga autoritetet zyrtare”, thuhet në deklaratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA