Top Channel/ Samiti i OSBE në Shkup! Debate për ftesën ndaj Lavrov

30/11/2023 08:15

Samiti filloi që mbrëmjen e së mërkurës me një fotot familjare të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, ndërsa vijoi me një darkë joformale, ku të pranishëm ishin dhe sekretari amerikan i shteti Anthony Blinken dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josef Borrell.

Ndërkohë, të dy zyrtarët janë larguar për të mos pasur kontakte me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov që konfirmoi pjesëmarrjen e tij në samit.

Avioni i Lavrov arriti herët të enjten, ndërsa fluturimi i tij u shënua edhe nga disa incidente diplomatike. Bullgaria që kishte dhënë paraprakisht leje për avionin rus të kalonte vijën ajrore, e ka anuluar në moment të fundit, duke detyruar që itinerari të devijohej dhe Lavrov të kalonte përmes Turqisë e më pas Greqisë.

Bullgaria tha se leja ishte dhënë vetëm për Lavrov që të kalonte dhe jo për delegacionin e tij shoqërues të sanksionuar nga BE-ja. Maria Zakharova, zëdhënëse e qeverisë ruse e quajti veprimin “një budallallëk rusofob”.

Borrell edhe pse nuk parapëlqeu të takohej me homologun rus, sipas Radio Evropa e Lirë komentoi  se Lavrov duhet të dëgjojë gjatë samitit “se pse Rusia është e izoluar dhe e sanksionuar dhe duhet t’ia përcjellë mesazhet Kremlinit.”

OSBE do të zgjedhë në samit Maltën si kryesuese e re pas mbarimit të presidencës së Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrësit duhet të miratojnë edhe vendimet tjera, si buxhetin dhe të caktojnë drejtuesit në pozitat kyçe të organizatës.  Ndërkohë do nënshkruhen marrëveshje për luftimin e korrupsionit dhe sigurinë klimatike.

Shtetet baltike dhe Ukraina kanë refuzuar pjesëmarrjen në shenjë proteste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA