SPAK nuk i ndahet ish-kryetarit të bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri dhe ish zv-kryetarit të së njëjtës bashki Avdulla Cano të shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë.
SPAK insiston se ata duhet të shpallen fajtore dhe për këtë arsye ka dorëzuar në Apelin e Posaçëm kërkesën për dënimin e tyre jo vetëm me burg, por gjithashtu edhe heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike
SPAK i thotë Gjykatës së Apelit se ish-kryebashkiaku duhet dënuar me një vit burgim. Të njëjtën kërkesë për t’i cilësuar si fajtorë, SPAK e përsërit edhe ndaj ish-drejtoreshës Enkelejda Kllomollari, Nexhmi Korrën ish-koordinator i njësive administrative të dyshuar për shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tendera. Por, edhe ndaj punëtorëve të mirëmbajtjes në këtë bashki, Gurali dhe Safet Blaceri, njëri mirëmbajtës dhe tjetri hidraulik.
Të gjashtë, nën vështrimin e SPAK-ut, jo vetëm abuzuan gjatë vitit 2017 me një tender për dru zjarri me vlerë 9 milionë lekë, por në 28 qershor 2019 në tre shkolla dhe një kopsht janë kapur në flagrancë nga policia duke mbyllur me çelës tre shkolla të miratuara si qendra votimi prej KQZ-së.
Manjola Kajana i thotë gjykatës se ish-kryetari i bashkisë kishte si qëllim të bllokonte zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
Por, dy punonjësit e mirëmbajtjes shfajësohen se morën urdhër nga eprorët dhe se nuk kishin dijeni që ishin qendra votimi. Gjykata e Shkallës së Parë, thanë vendimet e pafajësisë, se shkresat e Kaprit si kryetar bashkie nuk sollën asnjë pasojë kriminale, pasi shkollat u mbyllën dy ditë para zgjedhjeve dhe se njoftimi i drejtuesve lokalë ishte thjesht administrative. Këndvështrimi i SPAK është se këto veprime nuk ishin të pafajshme, por ishin në shpërdorim të detyrës.
Top Channel