NATO: Ndihmë për Ukrainën/ Vendet anëtare konfirmojnë mbështetjen për Kievin në luftë me Moskën

28/11/2023 19:41

Anëtarët e NATO-s u zotuan të martën të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën për të përballuar sulmin rus. Angazhimi erdhi në një kohë kur ekzistonte frika se mungesa e mbështetjes së vazhdueshme nga Perëndimi mund të përfundojë duke e detyruar Ukrainën të kërkojë një kompromis me presidentin rus Vladimir Putin nga një pozicion i dobët.

“Ne do të riafirmojmë fuqishëm mbështetjen tonë për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon të përballet me luftën e agresionit të Rusisë”, Antony Blinken.

Shtetet e Bashkuara ofruan 40 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën që nga nisja e sulmit nga RusiA dhe janë zotuar të mbështesin Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ishte “i bindur” se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të armatosin Ukrainën.

“Është në interesin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara që ta bëjnë këtë dhe është gjithashtu në përputhje me atë që kemi rënë dakord”, tha Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO.

Stoltenberg vuri në dukje premtimet e fundit nga Gjermania dhe Holanda me vlerë 10 miliardë euro si provë se aleanca mbeti e përkushtuar për të mbështetur Kievin. Edhe pse vija e frontit nuk ka lëvizur aq shumë, ukrainasit kanë qenë në gjendje të shkaktojnë humbje të mëdha në forcat ruse, tha ai. Shqetësimet janë rritur për të ardhmen e mbështetjes perëndimore për Ukrainën pasi gjenerali më i lartë i Kievit ka pranuar se luftimet e ashpra kanë arritur në një “ngërç”.

Bashkimi Evropian aktualisht është gjithashtu duke luftuar për të rënë dakord për një plan për mbështetjen e tij afatgjatë për armatosjen e Ukrainës përballë kundërshtimit nga Hungaria. Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, tha se nevoja për të mbështetur Ukrainën “nuk ka të bëjë me faktin nëse Ukraina mund të bëjë ende ndonjë përparim ushtarakisht, por ka të bëjë me shpëtimin e njerëzve”. Ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba do t’i bashkohet takimit të mërkurën dhe anëtarët e NATO-s do të bien dakord për një plan për reforma që synojnë të ndihmojnë Ukrainën drejt anëtarësimit përfundimtar në aleancë. Ukraina po bën presion për t’u bashkuar me NATO-n, por aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja ka refuzuar deri më tani të lëshojë një ftesë zyrtare, pavarësisht se ka premtuar se Kievi do të jetë në radhët e saj një ditë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA