“Një tmerr nuk e justifikon tjetrin”/ Izraeli dhe Hamasi, përpjekje për t’i dhënë fund luftës

27/11/2023 16:34

Delegacione të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve të Lindjes së Mesme dhe shteteve të Afrikës veriore u takuan në Barcelonë të hënën për të kërkuar përfundimin e luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Takimi u dominua nga thirrjet për t’u dhënë fund luftimeve në Rripin e Gazës, ndërkohë që zyrtarët palestinezë kërkuan zgjatjen e armëpushimit.

Thirrjet për t’i dhënë fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit ishin boshti i takimit të 42 shteteve të Bashkimit Evropian, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore që morën pjesë në takimin e organizuar nga Unioni i Mesdheut.

“Asgjë nuk mund të justifikojë brutalitetin e Hamasit ndaj civilëve më 7 tetor, por një tmerr nuk e justifikon tmerrin tjetër,” tha shefi i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell. “Pauza duhet të zgjatet, të bëhet e qëndrueshme dhe afatgjatë, ndërkohë që punojë për një zgjidhje politike. Një zgjidhje politike do të na mundësonte të ndërpresim ciklin e dhunës një herë e përgjithmonë. Sa më gjatë qëtë lejojmë eksremistët të përcaktojnë agjendën, aq më shumë do të përhapet ekstremizmi, jo vetëm në rajon, por do të ketë pasoja edhe për ne në Evropë.”

Izraeli nuk po merr pjesë në këtë forum, që viteve të fundit ka shërbyer si një platformë bashkëpunimi ndërmjet Bashkimit Evropian dhe botës arabe.

Ndërkohë, edhe ministri i jashtëm palestinez bëri thirrje për vazhdimin e armëpushimit aktual katër ditor, që skadon sot.

“Armëpushimi hyri në fuqi pas 15,000 vdekjesh. Nëse lufta rifillon nesër atëherë numri i të vrarëve do të dyfishohet, sepse dendësia e popullatës palestineze është dyfishuar. Të gjithë janë grumbulluar në jugun e Rripit të Gazës, 2 milionë njerëz në gjysmën e territorit. Nga sulmet izraelite do të vriteshin tani dyfishi i fëmijëve. Prandaj për ne është e rëndësishme të zgjasim armëpushimin sa më shumë që është e mundur,” deklaroi Ministri i Jashtëm palestinez Riad Al-Malki.

Takimi, i cili po mbahet në Barcelonë, u kryesua nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Joseph Borrell dhe ministri i jashtëm jordanez Ayman Safadi.

“Ndalimi i gjakderdhjes, kthimi i Autoritetit Palestinez në Gazë, përjashtimi i Hamasit, i cili nuk duhet të ketë asnjë rol në të ardhmen dhe zbatimi i planit me krijimin e dy shteteve, është zgjidhja. Sot, në Barcelonë, duhet të dëshmojmë se jemi të aftë t’i deklarojmë këto çështje së bashku, me bindje dhe qartësi,” tha Ministri i Jashtëm i Spanjës Jose Manuel Albares.

Pauza e luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit vazhdoi edhe sot, në ditën e katërt.

Deri më tani palët nuk kanë sqaruar se çfarë pritet të ndodhë pas të hënës, kur skadon pauza e përkohshme e luftimeve.

“Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për krimet që ka kryer. Nëse jo përmes sanksioneve, atëherë duke i bërë trysni të ndryshojë qasje. Nëse duam të shmangim dhunën dhe vdekjet dhe të ofrojmë shpresë për një të ardhme më të qetë dhe të qëndrueshme për njerëzit e rajonit tonë, duhet të bëjmë përpjekje të tejkalojmë këtë krizë aktuale dhe të lëvizim drejt një plani serioz për paqe. Nuk ka alternativë tjetër të qëndrueshme veç ringjalljes së zgjidhjes për krijimin e dy shteteve,” tha Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Faisal bin Farhan Al-Saud.

Jashtë vendit të takimit, një grup i vogël protestuesish po brohorisnin dhe mbanin në duar flamuj palestinezë.

“Në vitin 2008, në 2020, 2021, 2022 Izraeli gjithmonë bën të njejtën gjë. Nuk ndalet. Nuk mendoj se ky takim do të arrijë ta ndalojë. Duhet forcë dhe përkushtim për t’i thënë ndal. Sepse u bë mjaft,” tha protestuesja palestineze Haia Alau.

Në prag të takimit, Ministri jordanez Safadi tha se shpreson që bisedimet do ta “zvogëlojnë hendekun” ndërmjet shteteve arabe dhe evropiane në mënyrë që thirrja e tyre për pauza humanitare në Gazë të shndërrohet në thirrje për armëpushim.

Unioni i Mesdheut është organizatë ndërqeveritare e themeluar nga 27 shtetet e BE-së dhe 16 shtete të Mesdheut jugor dhe lindor, përfshirë Izraelin, territoret palestineze, që përfaqësohet nga Autoriteti Palestinez, Egjipti, Libani dhe Jordania./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA