Ushtria izraelite ka konfirmuar se 11 pengje janë liruar nga Hamasi.

Pengjet do t’i nënshtrohen vlerësimeve mjekësore, tha IDF dhe forcat do t’i shoqërojnë ata derisa të ribashkohen me familjet e tyre.

Sipas zëdhënësit të qeverisë izraelite, Mark Regev, disa fëmijë, përfshirë edhe binjaket tre vjeçare, janë ndër pengjet e liruara këtë mbrëmje nga Hamasi.

Ai i tha BBC News Channel se ata ishin transferuar në Kryqin e Kuq, duke shtuar: “Ne po presim që ata të kthehen në tokën izraelite, vetëm kur të kthehen në shtëpi mund të themi se kjo është bërë me të vërtetë. Ne mendojmë se tani është vetëm çështje kohe”.

Sharon Aloni Cunio dhe vajzat e saj binjake, Emma dhe Yuli, u mbajtën peng për 52 ditë

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al Ansari tha në X se pengjet janë persona me dy shtetësi.

“Izraelitët e liruar nga Gaza përfshijnë 3 shtetas francezë, 2 shtetas gjermanë dhe 6 shtetas argjentinas”,  tha ai.

Ai gjithashtu konfirmoi se, siç tha Hamasi më herët, palestinezët që lirohen nga burgjet izraelite përfshijnë 30 fëmijë dhe tre gra.

Tre shtetasit francezë mes 11 pengjeve janë konfirmuar edhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Tre nga bashkatdhetarët tanë të rinj janë pjesë e grupit të pengjeve të liruar sot. Jam jashtëzakonisht i lumtur me këtë njoftim”, shkruan Macron në X.

Sipas Forumit të Familjeve të Pengjeve dhe Personave të Zhdukur 11 pengjet e rrëmbyera nga Hamasi që u morën nga kibbutz Nir Oz janë:

Sharon Aloni Cunio (34) dhe vajzat e saj Emma dhe Yuli (të dyja tre vjeç);
Vëllezërit Yagil (12) dhe Yaakov Yaacbv (16);
Vëllezërit Sahar (16) dhe Erez Kalderon (12);
Eitan Yahalomi (12);
Karina Engel-Bart (52) dhe fëmijët e saj Mika (18) dhe Yuval Engel (11).

Izraeli nuk ka konfirmuar ende se ka rënë dakord për të zgjatur armëpushimin. SHBA, Katari dhe Hamasi kanë thënë se është rënë dakord për një zgjatje dy-ditore.

Binjaket Emma dhe Yuli

Regev tha: Dhe ne kemi thënë publikisht dhe në mënyrë të përsëritur se jemi të gatshëm të japim një ditë shtesë për çdo 10 pengje të liruar, topi është në fushën e Hamasit. Ne e dimë se me kë kemi të bëjmë, një organizatë terroriste të pamëshirshme dhe fanatike. Ne pamë llojin e dhunës që ata kryen kundër civilëve të pafajshëm më 7 tetor,  kush i rrëmben trevjeçarët?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA