Kryeministri Edi Rama, nga Vlora ku ndodhej për takime pune, zhvilloi një intervistë online me Këshillin e Atlantikut.
Gjatë bisedës, presidenti i Këshilit të Atlantikut, Frederick Kempe, shfaqi kuriozitetin për të ditur kush ishte burri në pikturën që ndodhej pas krahëve të kryeministrit. Ky i fundit nuk kurseu batutën, teksa tha se Ismail Qemali është gjyshi i tij.
“Ismail Qemali, është gjyshi im. Shikoni ngjashmërinë. Është ati, themeluesi i Shqipërisë. Burri që ngriti flamurin në këtë qytet, pak qindra metra nga vendi ku po ju flas, në vitin 1912. Kështu që, kështu që në njëfarë mënyrë është gjyshi i të gjithë shqiptarëve”.
Duke treguar se nesër është përvjetori i 111-të i Pavarësisë, kryeministri u shpreh se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më mirë se tani.
“Edhe rajoni nuk kanë qenë më mirë. thënë kjo, Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë për t’u ndjerë më mirë. Nuk mund të mendosh të jesh më mirë në këtë rajon, pa menduar të bësh një rajon më të mirë. kemi bindje që duhet të përmirësojmë vendin tonë, rajonin tonë”.
Por, ka ende shumë për të bërë, tha kryeministri, sipas të cilit, zgjidhja përfundimtare do të jetë njohja e plotë e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Më lini të them se ne jemi rajon që kemi kompleksitete shumë të mëdha. Jemi një rajon shumë fetar. Ja pse lufta mes Izraelit dhe Hamasit është e rrezikshme. Njohja e plotë e Kosovës do të sjellë paqen përfundimtare. Kujtojmë këtu sulmin në Banjskë. Ishte edhe përgjegjësi e Beogradit, që nuk e dënoi, por shpalli ditë zie kombëtare në nder të sulmuesve. Megjithatë, nuk duhet të biem pre e konfrontimeve”.
Rama vlerësoi pranimin në parim nga Kosova të Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Jam i inkurajuar në ndryshimin në qasjen e autoriteteve të Kosovës, duke pranuar në parim asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ajo që ishte në propozimin tim, është bërë pjesë e planeve të BE-së”, tha ai.
Kryeministri iu përgjigj edhe pyetjeve për zgjerimin. Bashkimi Europian ka vullnet për këtë proces, më shumë se më parë, u shpreh ai.
“Shoh ndryshim në vullnetin e BE-së, krahasuar me disa vite më parë. Kam qenë kritik i qasjes së BE-së, i qëndrimit të saj dhe i qëndrimit pasiv të BE. Por, kjo ka ndryshuar, sepse ka së fundi një mirëkuptim të përbashkët që është nxitur edhe nga agresioni rus në Ukrainë. Ideja e rajonit si një pasuri e rënd gjeopolitike për BE është materializuar në realitetin e fakteve. Vizioni është i pranishëm, objektivat janë ty. Veprimet, veprat varen nga gjëra të tjera. Është projekti më i bukur që mendja njerëzore ka përfytyruar”.
Top Channel