“Fluksi i azilkërkuesve duhet të ndalet”/ Finlanda mbyll pika të tjera kufitare me Rusinë

24/11/2023 21:37

Rusia duhet të ndalojë dërgimin e emigrantëve të paligjshëm në kufirin e saj me Finlandën, një akt po përdoret si armë në “luftën hibride”, tha të premten kryeministri finlandez Petteri Orpo, pasi vendi nordik mbylli të tjera pika kufitare, duke lënë të hapur vetëm një të tillë.

Më shumë se 800 emigrantë nga vende si Afganistani, Kenia, Maroku, Pakistani, Somalia, Siria dhe Jemeni kanë hyrë në Finlandë përmes Rusisë javët e fundit, sipas Rojes Kufitare Finlandeze.

Helsinki thotë se Moska po i dërgon ata drejt kufirit në shenjë hakmarrjeje ndaj vendimit të tij për rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara, një akuzë që Kremlini e mohon. Finlanda zemëroi Rusinë në fillim të këtij viti kur u bë anëtare e NATO-s, për shkak të luftës në Ukrainë.

“Ne duam t’i dërgojmë një mesazh të qartë Rusisë: kjo duhet të ndalet,” tha zoti Orpo në një konferencë për shtypin.

“Kjo që po ndodh nuk ka të bëjë me azilkërkuesit, ka të bëjë me sulmin hibrid dhe sigurinë kombëtare”, tha ai.

Pasi mbylli katër kufitare javën e kaluar, Finlanda mbylli tre të tjera gjatë natës, duke lënë të hapur vetëm pikën kufitare më në veri, Raja-Jooseppi, që ndodhet në rajonin e Arktikut.

Pika e kalimit kufitar qëndroi e hapur për katër orë të premten, tha Roja Kufitare.

Megjithatë, Avokati i Popullit Kundër Diskriminimit tha se vendndodhja e largët e kësaj pike kufitare nxit shqetësime se Helsinki po vë në rrezik të drejtën për të kërkuar azil.

Roja Kufitare Finlandeze pret që dhjetra oficerë nga agjencia kufitare e Bashkimit Europian Frontex, të ndihmojnë në patrullimin e vijës kufitare prej 1,340 kilometrash me Rusinë, duke nisur nga java e ardhshme.

“Detyra e tyre kryesore do të jetë patrullimi i kufirit tokësor nën mbikqyrjen e Rojes Kufitare Finlandeze dhe mbështetja e këtyre të fundit”, tha eksperti për sigurinë e kufijve Arttu Maaranen për agjencinë e lajmeve Reuters.

Aktualisht në Finlandë gjenden 9 oficerë kufitarë të Frontex-it. Agjencia tha të enjten se do të dërgojë edhe 50 oficerë kufitarë dhe personel tjetër në Finlandë, si dhe automjete patrullimi për të forcuar sigurinë.

Norvergjia nuk është përballur “me parregullsi” në kufirin me Rusinë, tha të premten kryeministri norvegjez Jonas Gahr Stoere ndërsa vizitoi kryeqytetin estonez, Talin.

Ai tha se Norvegjia do të ishte e gatshme të ndërmerrte hapat e nevojshme për siguri në kufi në rast se situata do të ndryshonte. Estonia dhe Letonia, njësoj si Finlanda, e kanë akuzuar Moskën për dërgimin e emigrantëve në kufijtë e tyre me Rusinë në ato që të tre vendet i kanë cilësuar si armë në “luftën hibride”./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA