“Mërgata, imazhi më i mirë i Kosovës”/ Vjosa Osmani në Samitin e Diasporës: Shqiptarët në Preshevë po përballen me spastrim etnik

23/11/2023 11:06

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka theksuar rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të Kosovës.

Gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e III të Diasporës në Tiranë, Osmani u shpreh se pavarësisht se shqiptarët janë shpërndarë anembanë globit, ata ruajnë vlerat dhe traditat e tyre. Ata janë frymëzim, dhe luajnë një rol të rëndësishëm si agjentë të ndryshimit.

“Asgjë nuk dëshmon më shumë lidhjen e fortë me rrënjët sesa arbëreshët shqiptar. Sot mërgata jonë vazhdon të marrë pjesë aktivisht në përparimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit.

Ata luajnë rol të rëndësishëm si agjentë të ndryshimit dhe advokues në zhvillim. Imazhi më i mirë i Kosovës janë mërgata jonë. Njerëz punëtorë, atdhetar, që busull orientimi kanë atdheun tonë”- tha Osmani.

Duke folur për rolin e madh të Diasporës shqiptare, Vjosa Osmani nuk la pa përmendur edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, duke thënë se ata të cilët banojnë në këto treva, po përballen me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative.

“Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu, mos të harrojmë se vëllezërit tonë në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovc ende po përballen me diskriminim etnik dhe përballen me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Sot iu them nga këtu: ju nuk jeni vetëm. Ne jemi me ju për mbrojtjen e të drejtave tuaja. Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohës sfiduese ata ishin përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare. Është shtylla për lëvizjen kombëtare për liri dhe pavarësi të shqiptarëve. Kanë qenë burim force për ne. Në vitet e 90-ta, mërgata jonë ishte zëri ynë në të gjitha qendrat e vendimmarrjes”- u shpreh Osmani.

Ndërsa solli në vëmendje rëndësinë e mërgatës në udhëheqjen politike dhe mbështetjen përmes remitancave të ekonomisë së Kosovës, Osmani dha lajmin e mirë se me ndryshimet e fundit ligjore, shqiptarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme do kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes votës në ambasadat dhe zyrat konsullore nga vendet ku jetojnë.

“Mërgata jonë me shumë nisma ka marrë pjesë edhe në udhëheqjen politike. Mbështetja ekonomike që marrim nga mërgata është përcaktues edhe për ekonominë tonë. Ajo është frymëzim, frymëzim për një Kosovë më të mirë. Dhe me ndryshimet e fundit që kemi bërë për zgjedhjet e përgjithshme mërgata jonë do ta ketë më në fund të drejtën të votojë nga ambasadat dhe konsullatat ku jetojnë”- tha Osmani.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA