Marrëveshja e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve të ardhur nga Afrika është pjesë e draft-kalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 27 nëntor-22 dhjetor.
Kjo marrëveshje është futur në rend të ditës në Komisionin e Ligjeve dhe më pas do të kalojë për shqyrtim në Kuvend.
Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.
Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.
Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët.
Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.
Dy ditë më parë Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi rezolutën e mazhorancës italiane në lidhje me marrëveshjen me Shqipërinë për çështjen e emigrantëve. Votat pro ishin 189 pro dhe 126 kundër, votat kundër ishin të gjitha të opozitës që e kritikoi marrëveshjen. Teksti i rezolutës e angazhon qeverinë italiane “të miratojë çdo iniciativë të nevojshme, duke përfshirë një projekt-ligj ratifikimi, për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes”.
Top Channel