Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi në një prononcim për medie para fjalimit në 115- vjetorin e Kongresit të Manastirit, ka deklaruar se nga janari do të ketë një kryeministër të parë shqiptar.
“Maqedonia e Veriut do të ketë kryeministrin e parë shqiptar etnik duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm”, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Artan Grubi.
Partitë politike maqedonase ditët e fundit kanë biseduar për harmonizimin e qëndrimeve për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Dhe BDI-ja, tha zëvendëskryeministri Artan Grubi, është e gatshme për të gjitha datat e mundshme, qoftë kjo për zgjedhje të veçanta apo të dyfishta.
Grubi tha se 100 ditë para zgjedhjeve do të ketë kryeministër shqiptar, por nuk do të jetë ai kandidat për kreun e qeverisë, por një emër tjetër për të cilin do të vendos kreu i kësaj partie Ali Ahmeti.
“Unë nuk e shoh veten në postin e kryeministrit shqiptar në 100 ditëshin e fundit të qeverisë teknike dhe BDI dhe Ali Ahmeti do të propozojnë një kandidat apo kandidate, i cili ose e cila zbaton detyrën e thyerjes së tabusë të marrjes së përgjegjësisë në ekzekutiv nga një shqiptar për të udhëhequr këtë qeveri”, deklaroi Grubi.
I ndalur te deklarata e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili hodhi poshtë mundësinë e koalicionit me BDI-në, Grubi tha se me ASH-në kanë raporte të shkëlqyera dhe nuk përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit edhe në zgjedhje.
“Marrëdhëniet me Aleancën për Shqiptarët i kemi të shkëlqyera dhe na bashkon ideja e integrimit në Bashkimin Evropian, duke i avancuar këto ide të përbashkëta edhe në një bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.
Top Channel