Por, si u përfshi familja Haxhiu në “serialin” e vrasjeve në Lushnjë.
Gjithçka nisi në 18 gusht të vitit 1998, kur ekzekutohet Luan Bilbili. Viktima ishte xhaxhai i Orgest Bilbilit, i dënuar përjetë si bashkëpunëtor i Laert Haxhiut në masakrën e Lushnjës. Disa ditë pas vrasjes së Bilbilit, kundërshtarët organizuan atentat me antitank ndaj Aldo Bares. Ai dyshonte se sulmi kishte ardhur nga një furgon në pronësi të Shkëlqim Haxhisë, xhaxhait të Laert Haxhisë.
Fillimisht njerëzit e Aldo Bares marrin peng familjen e Shkëlqim Haxhiut dhe i djegin banesën. Konflikti me të lidhej edhe me pretendimet për t’i kaluar në pronësi në formë gjobe godinën e ish-hotel Myzeqesë.
Hakmarrja ndaj familjes Haxhiu do të rëndohej kur në 11 janar të 2005, banda e Aldo Bares do të vriste Klodian Haxhiun, djalin e Shkëlqimit. Klodiani u ekzekutua në afërsi të banesës së tij. Kjo ngjarje është edhe pikënisja e hakmarrjes së madhe, me të cilën do të përballej qyteti i Lushnjës.
Laert Haxhiu pasi kishte arritur një moshë madhore krijon grupin e vet për t’u hakmarrë. Ai mblodhi pranë të gjithë njerëzit që në një mënyrë ose në një tjetër e kishin pësuar nga Aldo Bare. Një skenar ky i përafërt me ato të mafies italiane.
“Nisja e hakmarrjes së tij që në moshën 18 vjeçare ishte pjesë e atij formimi dhe asaj urrejtje që ishte brenda tij. Ai nuk kishte arsimin e duhur, por arriti të bëhej në një nivel të lartë të një personi që vrasjet dhe krimi që organizonte dhe grupet që u përfshi, e bënë një emër që kaloi jo vetëm zonën e Lushnjës por në të gjithë territorin shqiptar dhe madje deri në Greqi”, u shpreh eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
“Nisja e tij është shumë banale. Një person që vishet me mit në krim por që si shumë të tjerë, këtu e kam fjalën edhe për Nuredin Dumanin, që hyri në krim si një hajdut. Laert Haxhiu për herë të parë dënohet kur ishte adoleshent për akuzën e vjedhjes”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.
Goditja e parë do të vinte në vitin 2010. Në 8 korrik Gerti Lala, i njohur me nofkën “Iriqi”, u godit disa herë me thikë dhe armë zjarri nga dy të rinj. Sipas policisë, viktima ishte personi që kishte larguar vrasësin e Klodian Haxiut në vitin 2005.
Top Channel