Artan Tafani, Laert Haxhiu dhe Lulzim Spahiu u nisën për në Korçë.
Përgjatë udhëtimit ata hartojnë planin kriminal.
“Makinës i jepte Laerti, unë isha ulur para ndërsa Luli mbrapa. Rrugës Laerti tha që Fridmanin do ta vrasim dhe më pas do ta hedhim në ndonjë lumë dhe po kontrollonim për një vend të përshtatshëm”, rrëfeu i penduari i drejtësisë, Artan Tafani.
Ata u orvatën në zonë për disa orë por nuk arritën të gjenin një mjedis të përshtatshëm që të mos i ekspozonte. Në fund, takohen me Golen që i orienton drejt një rezervuari të vogël në dalje të Korçës. Pasi panë territorin nga afër, grupi vendosi të kryente aty vrasjen.
Laerti urdhëroi që të merrnin personin tjetër që jetonte në një shtëpi me Fridmanin, një shtetas i njohur si Gjyshka. Qëllimi i shoqërimit të tij si dëshmitar ishte t’i jepej një mesazh që të mos gabonte dhe ai, pasi do të kishte të njëjtin fund. Të gjithë bashkë shkuan tek vendi që kishin zgjedhur, një zonë e pyllëzuar mirë.
“Në momentin që ishim në këmbë Laerti e ka kapur Fridmanin nga qafa dhe i tha: ‘Si ishte ai muhabeti i avokatit, do tregosh ti çfarë kemi bërë?!’ Fridmani ja mohonte këtë gjë dhe i tha disa herë ‘jo jo’. Në atë moment Laerti i thotë Lulit nxirre armën dhe qëlloje. Fridmani filloji të bërtiste duke i thënë ‘mos më vrit’”, rrëfeu i penduari i drejtësisë, Artan Tafani.
Golja dhe Laerti e gjunjëzuan mikun e dikurshëm që e thërrisnin “kushëriri”. Lulzim Spahia qëndronte pas tyre. Ai kishte vetëm dy fishek në pistoletë. Në goditjen e parë të shënjestruar në kokë gaboi, pasi viktima 25-vjeçar lëvizi duke iu përgjëruar ta falnin.
“Pasi shtiu Luli, Laerti i tha Fridmanit të mos lëvizte më. E mbaj mend shumë mirë këtë moment. Fridmani ishte i gjunjëzuar më shikonte në sy dhe duke qarë më thoshte ‘o Marjus, o Marjus të lutem mos më vrisni’. Më pas Fridmani u dorëzua dhe i tha Laertit, nëse do të më vrasësh jepi. Aty Luli ia puthiti përsëri armën dhe e qëlloi pas koke dhe plumbi i ka dalë në pjesën e sipërme. Ai lëvizi sërish dhe plumbi e kapi si shkarazi”, rrëfeu Tafani.
Top Channel