Presidenti kinez përsëriti sërish thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm të të gjitha palëve në konfliktin Izrael-Hamas dhe për lirimin e civilëve të ndaluar.
“Në situatën aktuale, është në kohën e duhur dhe e nevojshme që BRICS të japë një zë drejtësie dhe paqeje për çështjen Palestinë-Izrael”, tha Xi, gjatë një samiti të jashtëzakonshëm virtual të BRICS mbi çështjen palestinezo-izraelite.
Lideri kinez gjithashtu bëri thirrje që të ndalen dhuna dhe sulmet ndaj civilëve, të ndërmerren hapa për të siguruar kalimin e sigurt dhe të qetë të ndihmave humanitare. Ndër të tjera ai kërkoi ofrimin e më shumë ndihmave humanitare për njerëzit në Gaza dhe ndalimin e “dënimit kolektiv” ndaj popullit palestinez përmes migrimit të detyruar e ndërprerjes së furnizimit me ujë, energji elektrike dhe naftë.
“Unë kam theksuar disa herë se mënyra përfundimtare për të zgjidhur konfliktet e përsëritura midis Palestinës dhe Izraelit është zgjidhja me dy shtete”, u shpreh tha Xi, duke shtuar se pa një zgjidhje të drejtë për çështjen e Palestinës, nuk do të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme.
Afrika e Jugut kryesoi samitin virtual, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë ishin Brazili, Rusia, India dhe Kina. Presidenca e Afrikës së Jugut tha se liderët e Arabisë Saudite, Argjentinës, Egjiptit, Etiopisë, Iranit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ishin gjithashtu të ftuar të merrnin pjesë dhe të flisnin.
Top Channel