Cilat janë qytetet më të mira dhe më të këqija për të jetuar në botë? InterNations, komuniteti më i madh global për njerëzit që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, ka publikuar një raport mbi vendet më të mira për të jetuar në 2023, sipas emigrantëve.

Lista renditi 49 qytete, bazuar në atë se si ndihen emigrantët për të jetuar dhe punuar jashtë vendit të tyre. Për të dalë me këtë renditje, InterNations anketoi më shumë se 12.000 emigrantë në mbarë botën, që përfaqësojnë 177 kombësi dhe që jetojnë në 181 vende ose territore. Raporti mori parasysh faktorë të tillë si cilësia e jetës, lehtësia e vendosjes, financat personale edhe shumë fajtorë të tjerë.

Malaga, Spanjë

Qyteti më i mirë në botë për të jetuar

Këtë vit, Malaga në Spanjë doli në vendin e parë, duke e bërë atë qytetin më të mirë në botë për të jetuar dhe punuar. Një nga qytetet më të vjetra në botë, Malaga ndodhet në Andalucia në Costa del Sol (“Bregu i Diellit”).

Ky qytet mesdhetar është i njohur për historinë e tij të pasur, artin dhe skenën kulturore (Picasso lindi aty), klimën e këndshme dhe ushqimin e mrekullueshëm. Malaga jo vetëm që kryesoi listën e përgjithshme, por gjithashtu u rendit në vendin e parë për miqësinë lokale, klimën dhe motin; gjithashtu zuri vendin e parë në nënkategoritë e punës dhe kohës së lirë dhe në balancën punë-jetë. Mërgimtarët gjithashtu shprehen entuziastë për sigurinë e Malaga-s, transportin publik të përballueshëm, sportet e shumta rekreative dhe jetën e mirë shoqërore. Një dobësi e madhe: Malaga u rendit në vendin e 41-të për tregun lokal të punës.

Në fakt, Spanja ishte një fituese e madhe këtë vit, me gjithsej pesë qytete në top 20-she. Dy qytete të tjera spanjolle dolën në vendin e dytë dhe të tretë: Alicante dhe Valencia (të cilat u renditën të parat në listën e vitit të kaluar). Sipas InterNations, Malaga, Alicante dhe Valencia kanë disa gjëra të përbashkëta, duke përfshirë lehtësinë e vendosjes, cilësinë e lartë të jetës dhe renditjen e fortë për financat personale. “Kjo përkthehet në kultura mikpritëse që lejojnë një jetë të këndshme dhe të përballueshme“, tha InterNations në një deklaratë.

Madridi u rendit në vendin e gjashtë, falë jetës së tij digjitale, financave të mira personale dhe cilësisë së lartë të jetës. Barcelona gjithashtu u shfaq në top 20-she, duke u renditur në vendin e 13-të.

Romë, Itali

Vendet e renditura më keq

Në fund të listës së përgjithshme ishte Milano, Itali në vendin e 49-të. Roma u rendit në vendin e 48-të, e ndjekur nga Vankuveri, Kanada në vendin e 47-të. “Emigrantët në dy qendrat italiane ndajnë të njëjtat probleme“, tha InterNations në një deklaratë. Ato renditen në 10-shen e fundit të tabelës në katër nga pesë indekset e sondazhit. Mërgimtarët janë veçanërisht të zhgënjyer nga cilësia e ulët e jetës dhe kushtet e këqija të punës. Vankuveri, nga ana tjetër, është vendi ku emigrantët janë më të pakënaqur (i 49-ti) dhe ku ata luftojnë më shumë me financat e tyre personale (i 49-ti).

New York, SHBA

Si renditën Shtetet e Bashkuara

Këtë vit, emigrantët nuk ishin aq të lumtur në Shtetet e Bashkuara. Vitin e kaluar, Miami dhe New York City ishin në listën e 20 më të mirëve. Këtë vit, nuk kishte asnjë qytet të SHBA-së në listën e 20 më të mirëve. Qyteti i New York ra nga numri 16-të vitin e kaluar në numrin 39. Për shkak të numrit të përgjigjeve, Miami nuk u përfshi në listë këtë vit. Sipas InterNations, qyteti i New York ra për shkak se emigrantët luftojnë me shumë aspekte të jetës atje, veçanërisht me koston e lartë të jetesës. “Dhe ndërsa tregu i punës lulëzon, balanca punë-jetë anona nga peshorja e punës”, thuhet në deklaratën e InterNations. “Cilësia e jetës gjithashtu lë shumë për të dëshiruar, por opsionet e shkëlqyera të kohës së lirë të paktën ofrojnë shumë mundësi për të dalë dhe rrethuar”.

Por, nuk ishte gjithçka keq: emigrantët e renditën qytetin e New York-ut të gjashtin në nënkategorinë e opsioneve të kohës së lirë dhe të dytin për shumëllojshmërinë e kuzhinës dhe opsionet e ngrënies.

Ku kanë emigruar më shumë shqiptarët

Statistikat e fundit të INSTAT për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë i përkasin vitit 2020, ku sipas vlerësimeve të tërthorta, numri i diasporës së re (emigrantët e pas viteve ’90) llogaritet të jetë rreth 1.68 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 37 % të shtetasve shqiptarë gjithsej.

Në fillim të viteve 1990, shqiptarët emigruan masivisht drejt Italisë, duke formuar për nga numri, komunitetin e dytë më të madh të emigrantëve në këtë vend.

Gjithashtu në Greqi ndodhet komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë, të cilët u vendosën në këtë vend pas vitit 1990. Pas vitit 1990 edhe drejt Gjermanisë migruan dhjetëra mijëra shqiptarë nga Shqipëria. Ndërkohë prezenca e shqiptarëve në Britaninë e Madhe është rritur sidomos dekadën e fundit, mijëra shqiptarë, kryesisht u vendosën në këtë vend. Në Kanada shqiptarët filluan të migrojnë pas vitit 1990, duke përfituar kryesisht nga mundësitë që ofron programi i migrimit në këtë vend të specialistëve të kualifikuar.

Por Italia dhe Greqia kanë përqindjen më të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit (rreth 75 përqind). Ato ndiqen nga SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Belgjika, Spanja, etj.

1o qytetet më të mira në botë për të jetuar

1.Malaga, Spanjë
2.Alicante, Spanjë
3.Valencia, Spanjë
4.Ras Al Khaimah
5.Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe
6.Madrid, Spanjë
7.Mexico City, Meksikë
8.Kuala Lumpur, Malajzi
9.Bangkok, Tajlandë
10.Muscat, Oman

10 qytetet e renditura më keq në botë për të jetuar në 2023

1.Milano, Itali
2.Romë, Itali
3.Vankuver, Kanada
4.Hamburg, Gjermani
5.Berlin, Gjermani
6.Dublin, Irlandë
7.Stamboll, Turqi
8.Londër, MB
9.Paris, Francë
10.Seul, Koreja e Jugut

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA