Presidencialet në Argjentinë, fiton anarko-kapitalisti: Do t’i bëj “katharsis” shtetit!

20/11/2023 08:50

Masa drakoniane për të ringritur në këmbë vendin e gjunjëzuar nga inflacioni galopant e varfëria, me këto premtime, populisti Javier Milei bëhet presidenti i Argjentinës pasi mposhti në balotazh ministrin aktual të Ekonomisë, Sergio Massa me gati 56% të votave dhe më shumë se 11 pikë avantazh.

Kjo është përqindja më e madhe e votave të fituara nga një kandidat presidencial prej se vendi i Amerikës Jugore iu rikthye demokracisë më 1983. Massa e pranoi humbjen përballë kundërshtarit të ekstremit të djathtë pa e pritur rezultatin zyrtar. “Nga nesër, përgjegjësia për të garantuar funksionimin social, politik dhe ekonomik të vendit i takon presidentit të zgjedhur”, tha kandidati i i Unión por la patria, që pëson kështu disfatë për të dytën herë në zgjedhjet presidenciale.

Vetë Milei premtoi në fjalimin e fitores një katharsis të aparatit shtetëror.

“Idetë e mia bazohen në premisa shumë të thjeshta: një qeveri e kufizuar me më pak ministri dhe dua të jem i qartë për këtë: qeveria jonë do t`i përmbushë plotësisht angazhimet e saj! Gjysma e argjentinasve janë të varfër dhe  10 për qind jetojnë në varfëri ekstreme. Bol më me modelin varfërues të kastës drejtuese! Sot ne po përqafojmë edhe një herë modelin e lirisë për t’u bërë një fuqi botërore”, u shpreh presidenti i zgjedhur i Argjentinws Javier Milei.

Milei, një anarko-kapitalist i vetëshpallur që është krahasuar me ish-presidentin amerikan Donald Trump, tha pas fitores së “rindërtimi i Argjentinës fillon sot”. “Argjentina është në gjendje kritike. Ndryshimet për të cilat ka nevojë vendi ynë janë rrënjësore. Nuk kemi kohë për t’u ngadalësuar. Nuk ka vend për masa të vakëta”, u shpreh ai.

Inflacioni në Argjentinë është rritur mbi 140 për qind dhe varfëria është përkeqësuar ndjeshëm. Milei ka thënë se do të fillojë ta përdorë dollarin si monedhë dhe do të kontrollojë Bankën Qendrore, në mënyrë që ta luftojë inflacionin për të cilin i fajëson qeveritë e kaluara që kanë printuar para pa menduar vetëm me qëllimin të financonin shpenzimet publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA