Një video e publikuar në YouTube nga Komiteti Kombëtar Republikan është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Në video ka pamje të amplifikuara nga inteligjenca artificiale për të paraqitur shpërthime në Tajvan, emigrantë që kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, si dhe qytetin San Françisko të dominuar nga krimi dhe me tanket që kanë dalë nëpër rrugë. Asgjë prej këtyre nuk është e vërtetë.
Po kështu, në një video të komitetit për aksion politik “Never Back Down”, paraqitet zëri i ish-Presidentit Donald Trump. U kuptua në vazhdim se komentet e ish-presidentit ishin marrë nga postimet e shkruara prej tij në mediat sociale dhe se zëri u prodhua nëpërmjet inteligjencës artificiale.
Në mesin e tetorit, kompania Google, në pronësi të së cilës është rrjeti YouTube, njoftoi se përdoruesve do t’u kërkohet ta deklarojnë qartazi kur kanë përdorur inteligjencën artificiale për materialet e modifikuara apo të rikompozuara.
Mark Grzegorzewski është asistent profesor për studimet e sigurisë dhe çështjet ndërkombëtare.
“Nga përdorimi i inteligjencës artificiale për këto reklama politike, ka rënë ndjeshëm kostoja dhe janë të disponueshme për këdo që disponon një kartë krediti. Pasi i krijon këto reklama dhe i nxjerr në internet, ato përhapen si zjarri në pyje”, thotë ai.
Dhe disa kandidatë mendojnë se reklamat e prodhuara me inteligjencën artificiale do të mund të influencojnë votuesit amerikanë.
“Për shkak të rezultateve tepër të ngushta të zgjedhjeve presidenciale të cikleve të fundit elektorale, duke e përqëndruar mesazhin tek 6% të votuesve mund të ndryshohet rezultati i zgjedhjeve. Në veçanti nëse veprohet sipas shembullit të kompanisë Cambridge Analytica dhe vendosen në një objektiv më të detajuar votues të caktuar”, thotë zoti Grzegorzewski.
Autoritetet në disa shtete po përpiqen të vendosin rregulla për materialet e prodhuara me inteligjencën artificiale. Në Uiskonsin, ligjvënësit duan që politikanët dhe grupet politike ta deklarojnë qartazi nëse përdorin në reklamat e tyre elektorale materiale audio dhe video të prodhuara me inteligjencën artificiale. Shkelja e këtyre rregullave të propozuara do të ndëshkohej me gjobë. Masa të ngjashme pritet të vendosen edhe në Miçigan.
“Është e rëndësishme që votuesit të informohen kur është përdorur inteligjenca artificiale, në veçanti për imazhe false kur nuk është fare personi që shikoni të veprojë apo që dëgjoni të flasë”, thotë Ligjvënësja demokrate në Miçigan, Penelope Tsernoglou.
Senatorja Amy Klobuchar bën thirrje për masa të ngjashme në nivel federal. Në muajin tetor ajo iu drejtua kompanive të mediave sociale, si Meta dhe X, për t’u kërkuar të qartësojnë se si do të qeverisin në platformat e tyre reklamat elektorale të prodhuara me inteligjencën artificiale.
Në përgjigje, më 6 nëntor, kompania Meta ua ndaloi fushatave elektorale dhe kompanive të reklamave përdorimin e inteligjencës artificiale.
Ndërsa kompania X, dikur e njohur me emrin Twitter, nuk ka hartuar ende rregulla për përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale.