“Përgatitje lufte” për buxhetin! Të hënën parlamenti nis miratimin, paralajmërohen tensione

19/11/2023 19:40

Votimi Projekt Buxhetit është një prej seancave më të rëndësishme të vitit në parlament.

Për “Projekt Buxhetin 2024” janë parashikuar për diskutime datat 20 dhe 21 Nëntor.

Këtyre diskutimeve i kanë paraprirë seanca të tensionuara e kaotike dy muajt e fundit, prodhuar nga ajo çfarë opozita e quan “rezistencë ndaj mos plotësimit të tre kërkesave të tyre”. Opozita ka paralajmëruar bllokimin e vijimin e punimeve të parlamentit edhe këtë të hënë, kur do të duhet të diskutohet projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, projekt buxheti.

Nga ana tjetër për vijimin normal aq normal sa mund të jetë, sipas opozitës, kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla, ka kërkuar shtimin e efektivëve të gardës në sallën e Kuvendit. Aksioni opozitar brenda parlamentit me flakadanë dhe tymuese e vendos Gardën e Republikës në një situatë të pa precedentë.

Për incidentet e seancës të 9 Nëntorit ku deputeti rithemelimit Saimir Korreshi ndezi tre tymuese janë pezulluar 6 punonjës të gardës. Pezullimi lidhet me faktin se ata duhet të ndërhynin menjëherë kur panë Saimir Korreshin të vinte në veprim planin e ndezjes së tymuesve.

Top Channel ka mësuar se një hetim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore analizoi pamjet e skanerit në Kuvendin e Shqipërisë të kësaj date. Në momentin skanimit të çantës të një deputeteje të Rithemelimit, në skaner ka dalë imazhi në formën e tre gotave plastike ku ishin futur tymueset. Ky imazh i prodhuar në skaner sipas AMP ishte një arsye e mjaftueshme për efektivin e gardës në të kërkuarin e kontrollit të çantës të deputetes demokrate, gjë e cila nuk ndodhi.

Mbrëmjen e së shtunës deputeti Gazment Bardhi publikoi këtë foto e cila sipas tij tregon përgatitjen e gardës për të bllokuar veprimet e deputetëve të opozitës në seancën e të hënës.

Këto përgatitje të Gardës së Republikës dhe nga ana tjetër deklarimet e deputetëve të Rithemelimit të Sali Berishës, paralajmërojnë një tjetër seancë aspak të qetë edhe këtë të hënë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA