Ministria serbe për Administratën Shtetërore dhe Vetëqeverisjen Lokale mohon fshirjen e mijërave shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga listat e votuesve dhe ankesat e tyre se policia i ka pasivizuar adresat, duke i lënë pa dokumente personale.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Kreu i ministrisë në fjalë, njëherazi president i organizmit koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinovic, i cilësoi pretendimet si “të papranueshme dhe plotësisht të pasakta”.
“I ashtuquajturi pasivizim i adresave të shqiptarëve në jug të Serbisë, nuk është duke ndodhur”, deklaroi ai, duke insistuar se shqiptarët në Serbi “kanë të drejtën të votojnë dhe çdo të drejtë tjetër, ashtu si të gjithë shtetasit e tjerë të këtij vendi. Ai shtoi sakaq se pasivizimi i adresave bëhet “në përputhje me ligjin”.
“Ministria e Punëve të Brendshme e ka një procedurë unike për verifikim të adresave, prandaj nuk mund të thuhet se ka të bëjë me një grup apo territor specifik”, ishte komenti i Martinovic. Ministria e drejtuar prej tij po ashtu pohoi se që nga fillimit të vitit 2023 “nuk është dorëzuar asnjë apel kundër vendimeve për fshirje të personave nga lista e votuesve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.
Reagimi i tij erdhi një ditë pasi REL raportoi rastin e dy shqiptarëve në jug të Serbisë, Safet Demirovicit dhe Teuta Fazliut, adresat e të cilëve janë pasivizuar me arsyetimin se nuk jetojnë në adresat e regjistruara. Të dyja këto raste kanë mbërritur në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë, dhe në apel u tha se ata janë viktima të diskriminimit, ndërsa policia ua ka fshirë adresat në mënyrë të paligjshme me qëllimin t’iu mohohen të drejtat themelore.
Përveç të drejtës për dokumentacion dhe sigurim shëndetësor, aty u është mohuar edhe e drejta për të votuar në zgjedhje. Sipas të dhënave të Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, që prej vitit 2022, në Luginën e Preshevës janë pasivizuar adresat e më shumë se 2.900 qytetarëve, procedurë kjo siç pohon organizata, nuk është kryer në përputhje me ligjin.
Top Channel