Revolucion në krye të OpenAI, organizatës jofitimprurëse që kontrollon ChatGPT.
Drejtori i Përgjithshëm, Sam Altman largohet dhe në vend të tij është emëruar drejtoresha e teknologjisë Mira Murati.
OpenAI e bëri njoftimin në një deklaratë, në të cilin specifikon se Altman po largohet edhe nga bordi i drejtorëve.
Largimi i tij lidhet me një rishikim nga bordi i drejtorëve, i cili arriti në përfundimin se Altman nuk ishte gjithmonë “i sinqertë në komunikimet e tij me bordin e drejtorëve, duke penguar aftësinë e tij për të kryer përgjegjësitë që kishte. Bordit i mungon besimi në aftësinë e tij për të vazhduar të udhëheqë OpenAI”, shkruhet në deklaratë.
“Bordi nuk ka më besim në aftësinë e tij për të vazhduar udhëheqjen e OpenAI“, thuhet në deklaratë.
Bordi i OpenAI përfshin shkencëtarin kryesor Ilya Sutskever dhe drejtorë të pavarur si CEO i Quora Adam D’Angelo, sipërmarrësja e teknologjisë Tasha McCauley dhe Helen Toner e Qendrës Georgetown për Sigurinë dhe Teknologjinë në zhvillim.
Bordi tha gjithashtu se Greg Brockman, presidenti i OpenAI, “do të japë dorëheqjen si kryetar i bordit dhe do të mbetet në rolin e tij në kompani, duke i raportuar CEO”.
OpenAI, lëshoi për publikun chatbotin e tij AI ChatGPT, i cili u bë viral duke i lejuar përdoruesit të konvertojnë tekstin e thjeshtë në bisedë krijuese dhe ka shtyrë kompanitë e mëdha të teknologjisë si Alphabet dhe Meta të rrisin investimet e tyre në AI gjeneruese.
OpenAI u lançua si një model jofitimprurës në 2015 me mbështetjen e CEO të Tesla, Elon Musk , i cili thuhet se ka dhuruar 1 miliard dollarë për projektin. Para se të merrte detyrën si CEO, Altman ishte president i përshpejtuesit të startup-eve Y Combinator dhe fitoi rëndësi në Silicon Valley si një investitor. Më herët në karrierën e tij, ai themeloi kompaninë e rrjeteve sociale Loopt.
Ndërsa popullariteti i OpenAI u rrit këtë vit krahas ChatGPT, po ashtu u rrit edhe profili i Altman. Ai u bë një lloj ambasadori, duke përfaqësuar industrinë e inteligjencës artificiale në të gjithë globin.
Në shtator, Altman, 38 vjeç, iu dha nga Indonezia e ashtuquajtura “Viza e Artë”, duke i siguruar atij akomodime të ndryshme udhëtimi për 10 vjet dhe përfitime që synojnë të ndihmojnë vendin të fitojë më shumë investitorë të huaj.
Altman vizitoi vende të ndryshme të Azisë-Paqësorit gjatë verës, duke përfshirë Singaporin, Indinë, Kinën, Korenë e Jugut dhe Japoninë, duke u takuar me udhëheqës dhe zyrtarë qeveritarë dhe duke mbajtur fjalime publike mbi rritjen e AI dhe nevojën për rregullore.
Top Channel