Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë të enjte kanë futur në listën e zezë 10 persona, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.

Sipas faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviç, Petar Gjokiç dhe Dushko Peroviç nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviç dhe Branisllav Miqunoviç nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaciç e Nenad Popoviç nga Serbia.

Dy të fundit janë sanksionuar edhe nga Departamenti amerikan i Shtetit për lidhje me ndikimin dashakeq të Rusisë në rajon, dhe me korrupsionin e mundësuar prej tij. Thesari dhe Departamenti i Shtetit, po ashtu, kanë sanksionuar edhe 18 kompani.

“Rusia ka vazhduar të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe të përdorë juridiksionet kryesore për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese“, ka thënë nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare i Thesarit amerikan, Brian E. Nelson.

“Veprimi i sotëm rikonfirmon përpjekjet më të gjera të qeverisë amerikane për të promovuar paqen, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Nelson.

Ministri i Republikës Sërpska dhe shefi i Përfaqësisë së RS-së në Moskë

Petar Gjokiç është Ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Republikës Sërpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje.

Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës.

Petar Gjokiq.

Petar Gjokiç.

Në fillim të nëntorit, në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij “në forcimin e miqësisë midis RS-së dhe Rusisë”.

Dushko Peroviç është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë. Ai është kryesisht i pranishëm gjatë vizitës së presidentit të RS-së, Millorad Dodik, në kryeqytetin e Rusisë, dhe takimeve të tij me liderin rus, Vladimir Putin.

Gjokiç dhe Peroviç nuk iu përgjigjën thirrjeve të REL-it për koment. Savo Cvijetinoviç, i njohur me pseudonimin “Tigri”, është biznesmen nga Bijelina, në verilindje të Bosnje- Hercegovinës. Ai është themelues dhe drejtor i kompanisë “Inženjering-BN”, e cila gjithashtu u vendos në listën e sanksioneve amerikane.

Cvijetinoviç është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së.

Partneri i koalicionit të Vuçiçit dhe kreu i “Të djathtës serbe” proruse

Nenad Popoviç, politikan nga Serbia, i afërt me autoritetet ruse, është kryetar i Partisë Popullore Serbe – partnere e koalicionit të Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Serbisë, të shpërndarë para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 17 dhjetor, ai ishte deputet i shumicës qeverisëse.

Nga viti 2017 deri në vitin 2022 ka qenë ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë. Partia e Popoviçit bashkëpunon me Rusinë e Bashkuar, partinë e presidentit rus Putin, me të cilën ka nënshkruar disa marrëveshje ndërpartiake.

Si ministër dhe deputet, Popoviç pati takime të shumta me zyrtarë rusë në Serbi dhe Rusi, dhe që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ai avokoi që Serbia të mos vendoste sanksione ndaj Rusisë.

Misha Vaçiq.

Misha Vaçiç.

Misha Vaciç është udhëheqës i organizatës proruse “E djathta serbe”.

Vaciç është në listën e të sanksionuarve për, siç thuhet në shpjegim, për aktivitete që “minojnë paqen, sigurinë, stabilitetin politik ose integritetin territorial të Shteteve të Bashkuara, aleatëve ose partnerëve të tyre”, dhe që janë në favor të qeverisë ruse.

Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, ai mori pjesë në takime në tubime të Rusisë, dhe kundërshtoi vendosjen e sanksioneve kundër atij vendi.

Biznesmenë nga Mali i Zi – njëri i akuzuar për vrasje, tjetri i përfshirë në luftë

Branisllav “Brano” Miqunoviç nga Nikshiçi prej vitesh është i lidhur me biznesin e ndërtimit dhe lojërave të fatit në Mal të Zi, si dhe me kompanitë “Jack Pot” dhe “Zeta Film”.

Pranë Qytetit të Vjetër në Budvë, në vendin e ish-ndërtesës së “Zeta Film”, kompania e Miqunoviçit po ndërton, me partnerë të huaj, një hotel dymbëdhjetëkatësh me kazino.

Miqunoviç njihet si mik i ish-presidentit malazias, Millo Gjukanoviç. Ai u akuzua për vrasjen e Radovan Kovaçeviçit nga Nikshiqi në tetor të vitit 2000, por në vitin 2007 u shpall i pafajshëm, sepse përkundër disa personave të pranishëm gjatë vrasjes, askush nuk e identifikoi Miqunoviçin si personin që qëlloi me armë zjarri.

Branislav "Brano" Miqunoviq

Branislav “Brano” Miqunoviç

Miqunoviç ishte gjithashtu një nga të pandehurit në Bari të Italisë për kontrabandë cigaresh gjatë viteve 1990, por, në vitin 2019, kolegji i Gjykatës në Bari e pezulloi procedurën kundër tij për shkak të parashkrimit.

Çështja e duhanit u hap në Mal të Zi në vitin 2001, pasi në Bari filloi një hetim për kontrabandën e cigareve nga Mali i Zi në Itali, në fillim të viteve nëntëdhjetë.

Në hetim janë përfshirë rreth pesëmbëdhjetë persona nga Mali i Zi dhe Italia, mes të cilëve edhe Gjukanoviç. Të gjithë u shpallën të pafajshëm më vonë.

Miodrag “Daka” Davidoviç është biznesmen nga Mali i Zi. Në fillim të viteve ’90, ai ishte shef i policisë në Nikshiq, ndërsa gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte ministër në të ashtuquajturën krahinë autonome serbe të Hercegovinës, e cila u themelua nga partia e Radovan Karaxhiçit, i cili u dënua për krime lufte para gjykatës në Hagë.

Në fund të viteve ‘90, Davidoviç ishte gjithashtu i dyshuar për kontrabandë cigaresh, por ato akuza nuk u vërtetuan kurrë.

Miodrag “Daka” Davidoviq

Miodrag “Daka” Davidoviç

Arrestimi i tij, për shkak të disa hetimeve financiare, përfundoi me faljen e tij në vitin 1998 nga ish-presidenti i Malit të Zi, Momir Bullatoviç, me të cilin ishte në marrëdhënie kumbarie.

Davidoviç është një nga donatorët më të mëdhenj të Kishës Ortodokse Serbe, prandaj ai mori disa çmime. Edhe pse herë pas here kishte ambicie politike në Mal të Zi, Davidoviç jetonte kryesisht në Beograd, prej nga i drejtonte punët e tij.

Pronari i klubeve sportive maqedonase dhe nëna e biznesmenit të sanksionuar

Sergei Samsonenko është biznesmen i pasur rus, i cili ka në pronësi klube maqedonase të hendbollit dhe futbollit.

Ratka Kunoska Kamceva është nëna e biznesmenit maqedonas Orce Kamcev, i cili, po ashtu, është në listën e zezë amerikane.

Siç përcaktohet nga Departamenti i Thesarit, të gjitha asetet e personave të shtuar në listë, që janë në Shtetet e Bashkuara ose në pronësi ose kontrollin e personave amerikanë, ngrihen dhe duhet të raportohen në Zyrën për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) të Thesarit.

Gjithashtu, bllokohen edhe të gjitha subjektet që janë në pronësi të një ose më shumë personave të bllokuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, individualisht ose në total, me 50 për qind e më shumë.

Po ashtu, ndalohen të gjitha transaksionet nga personat amerikanë brenda (ose në tranzit) në Shtetet e Bashkuara, që përfshijnë çdo pasuri ose interes në asetet e personave të caktuar ose të bllokuar, përveç nëse lejohen nga një autorizim i përgjithshëm ose i veçantë i lëshuar nga OFAC, ose nëse përjashtohen.

Përveç kësaj, institucionet financiare dhe personat e tjerë që angazhohen në transaksione ose aktivitete të caktuara me individë të sanksionuar mund t’i nënshtrohen sanksioneve./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA