Rama inspekton shkollën profesionale në Peshkopi: Një mundësi e shkëlqyer për të marrë një zanat pa shpenzuar shumë

16/11/2023 11:54

Kryeministri Edi Rama inspektoi shkollën profesionale “Nazmi Rushiti” në Peshkopi, duke qenë se të rinjtë po zgjedhin çdo vit e më shumë t’u drejtohen këtyre shkollave. 

Kjo shkollë profesionale është transformuar nga themelet, në një infrastrukturë model e kompletuar sipas standardeve europiane, me reparte të praktikave profesionale, laboratorë, bibliotekë, si dhe kabinete të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme didaktike.

Kryeministri Edi Rama vizitoi mjediset e rikostruktuara të shkollës dhe ndoqi nga afër një ditë të zakonshme mësimi, e cila frekuentohet edhe nga nxënës të zonave rurale te qarkut Dibër, si dhe nga nxënës të komunave e rretheve Mat e Bulqizë, për të cilët ofrohet edhe mundësia e akomodimit në konvikt.

Në bisedën me mësuesit, kryeministri theksoi se shkollat profesionale mund t’i zgjedhin të gjithë nxënësit, pavarësisht rezulateve të tyre.

“Shkollat profesionale, nuk janë shkolla vetëm për ata që  janë me nota të ulëta në 9-vjeçare dhe në gjimnaz,  shkollat profesionale janë dhe për ata që janë të shkëlqyer, që shkojnë dhe marrin mësime informatike apo të ndryshme, por sidomos për ata është mundësia e një zanati. Ndryshe do harxhojnë kohën, do harxhojnë të ardhurat e familjes dhe në fund do ngelen si peshku pa ujë, pa asgjë. Ndërkohë që marrin një zanat, e kanë një çelës në xhep”, u shpreh Rama.

“Shkollë profesionale që nuk ka pasur rikonstruksion ndonjëherë. Nuk ka patur ndonjëherë këtë pamje, këtë qasje dhe këtë vëmendje. Shumë faleminderit”, u shpreh drejtuesja e shkollës, e cila tha se aktualisht shkolla ka rreth 300 nxënës, një shifër që ka tendencë të rritet me prurjet e reja të nxënësve nga gjimnazet.

Shkolla “Nazmi Rushiti” ka bashkëpunim të suksesshëm me komunitetin e biznesit në rajon, ku realizohen praktikat profesionale si për nxënësit edhe për mësuesit. Një pjesë e nxënësve të saj punësohen, jo vetëm pas përfundimit të shkollës, por edhe gjatë viteve të shkollimit.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA