E ndodhur pranë Izraelit, Sirisë, Turqisë dhe Egjiptit, Qiproja deri tani ka shërbyer kryesisht si vend pushimesh për izraelitët, libanezët dhe dhjetë vitet e fundit gjithnjë e më shumë për rusët.
Por së fundi, vëmendja ndaj ishullit të njohur edhe si parajsë taksash dhe si vend ku zhvillohen beteja gjeostrategjike, është spostuar më së shumti tek fushat e naftës, zbulimi i të cilave nisi 14 vjet më parë, ndërsa më e fundit doli në dritë në 2022. Nafta ka bërë që shumë qipriotë të ëndërrojnë për të luajtur një rol të ri në Lindjen e Mesme.
Për ekspertin e naftës, Cosme Ojeda, nga Universiteti San Bablo CEU në Madrid, nxjerrja e naftës mund të krijojë një mundësi të ri për paqen në Lindjen e Mesme dhe për zgjidhjen e konfliktit të ngrirë midis Greqisë dhe Turqisë për Qipron. “Fushat e naftës krijojnë mundësi për rritjen e madhe të mirëqenies së të gjithë pjesëmarrësve. Projekte të tilla për ndërtimin e naftësjellësit nuk mund të realizohen të vetme prandaj ato detyrojnë të gjithë kundërshtarët që të bashkëpunojnë,” thotë Ojeda.
Por sa të ndryshme janë pozicionet shihet tani nga fakti që në luftën aktuale në Lindjen e Mesme, Turqia është pozicionuar kundër Izraelit, ndërkohë që Qipro mbron dukshëm interesat e Izraelit. Faktikisht naftë atje duhej të ishte nxjerrë që në vitin 2018. Plani fillestar u përpiluar nga Noble, një operator i pavarur që u ble në tetor të 2020-s nga koncerni amerikan i energjisë, Chevron.
Po ashtu vitin e kaluar, Libani bëri marrëveshje historike me Izraelin për shfrytëzim të përbashkët të fushave të naftës që ndodhen në bregdetin e tyre. Por konflikti aktual me Hamasin mund të bëjë që këto plane të shumëzohen me zero. “Kemi të bëjmë me grindje dhe manovrime të shumë fuqive”, thotë geostrategu Cosme Ojeda, duke shtuar se për shfrytëzimin e këtyre burimeve do të duhet shumë durim.
Top Channel