Shtëpia e Bardhë: Biden dhe Xi do të diskutojnë për komunikimin e konkurrencën mes dy vendeve

14/11/2023 09:17

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se presidenti Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping do të diskutojnë lidhur me përmirësimin e komunikimit si edhe lidhur me konkurrencën mes dy vendeve këtë javë gjatë bisedimeve në kuadër të takimit të nivelit të lartë të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC).

Takimi i së mërkurës në San Francisko do të jetë i pari midis dy udhëheqësve prej një viti dhe ka si synim të zbusë tensionet mes dy superfuqive. Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se presidenti Biden beson se vetëm diplomacia e drejtpërdrejtë nuk ka asnjë zëvendësim për diplomacinë ballë për ballë për të menaxhuar marrëdhënien komplekse.

“Presim që dy udhëheqësit të diskutojnë disa nga elementët më themelorë të marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë rëndësinë linjave të hapura të komunikimit dhe trajtimit të konkurrencës me përgjegjësi në mënyrë që ajo të mos kthehet në konflikt,” tha zoti Sullivan.

“Mënyra se si realizohet një gjë e tillë është përmes diplomacisë intensive. Kështu shmangen keqkuptimet dhe befasitë”, tha ai.

Zoti Sullivan tha se presidenti Biden shkon në takim në pozita të forta, pasi Shtetet e Bashkuara kanë arritur “rimëkëmbjen më të fuqishme dhe inflacionin më të ulët të çdo ekonomie udhëheqëse”.
Ai tha se Uashingtoni pret rezultate konkrete nga takimi dhe shpreson të shohë përparim në rivendosjen e lidhjeve ushtarake me Kinën dhe në luftën ndaj tregtisë së fentanilit.

Kina ndërpreu komunikimet ushtarake me Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar pas një vizite nga kryetarja e atëhershme e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Tajvan.

Marrëdhëniet e tensionuara u përkeqësuan më tej kur presidenti Biden urdhëroi rrëzimin e një balone kineze që përshkoi hapësirën ajore të Shteteve të Bashkuara në shkurt.

Zoti Sullivan tha se komunikimi midis ushtrive do të siguronte që konkurrenca të mos shndërrohet në konflikt dhe se Kina ka qenë “konstruktive” për këtë çështje në dialogun para takimit të nivelit të lartë.

Presidentët Biden dhe Xi njihen me njëri-tjetrin prej më shumë se një dekade dhe kanë pasur bisedime të gjata disa herë që nga inaugurimi i presidentit Biden në vitin 2021. Por ata vijnë në këtë takim me dyshime dhe pakënaqësi të ndërsjella ndaj njëri-tjetrit.

Mes temave të tjera të ndjeshme, zoti Biden pritet të trajtojë ato për përpjekjet kineze për ndërhyrje në zgjedhjet e huaja dhe statusin e qytetarëve amerikanë që Uashingtoni beson se janë të ndaluar pa të drejtë në Kinë.

Presidenti Biden, 80 vjeç, është në krye të një ekonomie që i ka tejkaluar pritshmëritë dhe është forcuar më shumë se ajo e vendeve të tjera të pasura pas pandemisë COVID-19.

Megjithëse mbështetja e tij mes votuesve është e ulët, ai po kërkon një mandat të dytë në detyrë mes shqetësimeve për stabilitetin e demokracisë në SHBA.

Megjithatë, zoti Biden ka arritur të bashkojë aleatët tradicionalë nga Evropa në Azi në mbështetje të Ukrainës përballë agresionit rus, megjithëse disa prej tyre kanë dallime në lidhje me konfliktin Izrael-Hamas.

Zoti Xi është bërë udhëheqësi më i fuqishëm kinez që nga Mao Ce Duni, pasi ka forcuar kontrollin mbi politikën, udhëheqësit e shtetit, median dhe ushtrinë dhe ka ndryshuar kushtetutën.

Kohët e fundit, sfidat e ndërlikuara ekonomike e kanë larguar vendin nga trajektorja e rritjes prej tre dekadash.

Presidenti Biden pritet t’i thotë zotit Xi se angazhimet e SHBA-së në Indo-Paqësor janë të pandryshuara. Kina ka shkaktuar shqetësime tek fqinjët e vet vitet e fundit me veprimet në ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.

Presidenti Biden pritet gjithashtu t’i kërkojë homologut të tij Xi që të ushtrojë ndikim tek Irani që të mos përpiqet të zgjerojë konfliktin në Lindjen e Mesme, thanë zyrtarët.

Udhëheqësit e APEC-ut do të mblidhen në San Francisko nga e mërkura deri të premten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA