Presidenti rus, Vladimir Putin, ka miratuar ndryshimet në ligjin, sipas të cilit zhvillohen zgjedhjet presidenciale, duke vendosur kufizime të reja ndaj mediave, kanë raportuar mediat lokale më 14 nëntor.
Miratimi i ndryshimeve vjen para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të marsit, në të cilat Putini, që qeverisë me Rusinë në 24 vjetët e fundit, pritet të kërkojë një mandat të ri gjashtëvjeçar. Putin, 71 vjeç, ende nuk ka njoftuar nëse do të garojë në zgjedhje, duke theksuar se ai do të bëjë publik vendimin e tij vetëm pasi Parlamenti të caktojë zyrtarisht datën e zgjedhjeve.
Sipas amendamenteve që Putin ka miratuar, vetëm gazetarët e punësuar me kontratë nga mediat e regjistruara do të lejohen të mbulojnë takimet e Komisionit të Zgjedhjeve. Këto ndryshime potencialisht do të pamundësojnë që këto aktivitete zgjedhore të mbulohen nga gazetarët e pavarur.
Në ndryshime po ashtu përfshihet ndalimi i mbulimit të veprimeve të Komisionit në bazat ushtarake apo në zonat e tjera ushtarake pa leje paraprake nga autoritetet rajonale apo ushtarake.
Për më tepër, ndryshimet ndalojnë edhe aktivitetet zgjedhore në “burimet e bllokuara”. Rusia ka intensifikuar shtypjen e opozitës dhe rrjedhjen e informacionit, duke ndaluar një sërë ueb-faqesh dhe shërbimesh, përfshirë Facebook-un dhe Instagram-in. Por, shumë persona përdorin shërbimin VPN për të shmangur bllokimin./Rel
Top Channel