Sipas ekspertëve, 4.6 milionë të rritur në Gjermani janë të varur nga bixhozi ose po shfaqin simptomat e para të kësaj varësie.
Kjo duket qartë nga “Atlas i Lojërave të Fatit 2023”, i prezantuar nga Komisioneri Federal për Drogën, Burkhard Blienert.
Sipas studimit, rreth 1.3 milionë vetë në Gjermani vuajnë nga një çrregullim prej lojërave të fatit. Kjo do të thotë se te ata janë krijuar probleme shëndetësore, financiare apo sociale si pasojë e pjesëmarrjes në automatët e lojërave të fatit, në baste sportive dhe lojëra të tjera fati. Automatët e lojërave, bastet sportive dhe “loot boxes”: sipas Atlasit të Lojërave të Fatit, këta njerëz në Gjermani vuajnë nga i ashtuquajturi çrregullim prej lojërave të fatit.
3.3 milionë njerëz të tjerë shfaqin sjellje të rrezikshme kumari me shfaqje të hershme të varësisë, si simptomat e ndërprerjes kur nuk luajnë bixhoz. Ose kthimi te kumari një ditë më pas për të kompensuar humbjet.
Komisioneri i drogës: Një banalizim i rrezikshëm
Komisioneri i drogës, Blienert e konsideron urgjente veprimin kundër varësisë nga kumari. Në prezantimin e Atlasit të Lojërave të Fatit, ai bëri thirrje për ndalimin e reklamave të basteve sportive në televizion para orës 23:00, për shembull, për të mbrojtur më mirë të rinjtë. Sipas tij, kombinimi i sportit dhe basteve sportive po banalizohet rrezikshëm. Pothuajse një në tre persona që vënë baste në sport, vuan nga një çrregullim i lojërave të fatit.
Varësia nga kumari shkatërron mjetet e jetesës, shkatërron familjet dhe i shtyn njerëzit drejt vetëvrasjes, theksoi Blienert dhe bëri thirrje për rregulla më efektive për mbrojtjen e të rinjve. Diçka nuk shkon kur të rinjtë joshen përmes të ashtuquajturave loot box (“kuti plaçkitjeje”) “në lojërat e fatit me para dhe te gjoja fati në lojëra në dukje të padëmshme”.
Pjesëmarrja në lojërat e fatit në rënie
Atlasi i lojërave të fatit, i botuar nga Instituti Kërkimor Ndërdisiplinor për Varësitë dhe Drogat në Hamburg, Qendra Gjermane për Problemet e Varësisë në Hamm dhe Departamenti i Kërkimeve të Lojërave të Fatit në Universitetin e Bremenit, ofron një pasqyrë bazë të lojërave të fatit në Gjermani. Ai përmbledh të dhënat ekzistuese dhe jep informacion mbi rregulloret ligjore, varësinë dhe parandalimin.
Të dhënat për varësinë nga bixhozi bazohen në një sondazh të kryer në vitin 2021, sipas të cilit nga varësia ndaj lojërave të fatit janë veçanërisht të prekur meshkujt, të rinjtë, personat me origjinë emigrante dhe anëtarët e klubeve sportive dhe tifozët e tyre. Sipas raportit, pjesëmarrja në lojërat e fatit në përgjithësi është në rënie. Në Gjermani, 30% e popullsisë merrte pjesë në lojëra të fatit në vitin 2021. Në vitin 2007, kjo shifër ishte ende 55%.
Atlasi i Lojërave ofron gjithashtu një tabllo për fitimet që gjeneron ky sektor. Të ashtuquajturat të ardhura bruto nga lojërat – domethënë të ardhurat e marra pas zbritjes së fitimeve të paguara – arritën në 13.4 miliardë euro vitin e kaluar.
Fitimet më të mëdha i nxjerrin automatët e lojërave të fatit(4.8 miliardë), që pasohen nga llotaritë (4.1 miliardë). Bastet sportive kanë përjetuar rritje të fortë që nga legalizimi i tyre në vjeshtën e vitit 2020 (1.4 miliardë). Sipas dokumentit, shteti ka arkëtuar 5.2 miliardë euro taksa nga lojërat e ligjshme të fatit./ DW
Top Channel