Çfarë do të ndodhë pasi të jenë ndalur luftimet në Gazë?

14/11/2023 16:21

Ndërsa janë shtuar thirrjet për armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, izraelitët kanë filluar të mendojnë se çfarë do të ndodhë pasi të kenë përfunduar luftimet.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, anëtarët e komuniteteve përgjatë kufirit me Gazën thonë se do të donin të riktheheshin në shtëpitë e tyre, por vetëm nëse do të ndiheshin të sigurtë.

Kibuci “Kfar Aza” dhe pjesa më e madhe e komuniteteve izraelite në kufi me Gazën janë shndërruar në qytete fantazma që nga 7 tetori, kur militantët e Hamasit shkatërruan shtëpitë, vranë rreth 1200 izraelitë dhe morën peng në Gazë rreth 240 persona.

Izraeli evakuoi rreth 200 mijë banorë të zonave pranë Gazës dhe i strehoi në hotele dhe banesa të përkohshme. Pjesa më e madhe e banorëve të këtyre komuniteteve thonë se duan të kthehen në shtëpitë e tyre, por vetëm nëse sigurohen se nuk do të përsëritet kurrë më ajo që ndodhi më 7 tetor.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e shtetasve izraelitë është që të shkatërrohet plotësisht Hamasi dhe më pas Izraeli të mbajë nën kontroll situatën e sigurisë në Gazë.

“Gaza do të çmilitarizohet dhe nuk do të ketë më kërcënim nga Rripi i Gazës për shtetin e Izraelit. Dhe me qëllim që të sigurohemi se nuk do të ketë një kërcënim të tillë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit do të vazhdojnë të mbajnë nën kontroll sigurinë në Rripin e Gazës për të parandaluar terrorin që mund të vijë prej andej”, tha Kryeministri Netanyahu.

Ndërsa po rritet numri i viktimave në radhët e civilëve, po shtohet trysnia ndaj Izraelit nga aleati kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të bërë më shumë për të lehtësuar krizën humanitare që po përkeqësohet.

“Janë vrarë shumë palestinezë, shumë kanë vuajtur gjatë javëve të fundit, dhe duam të bëjmë gjithçka të mundshme për të shmangur dëmet ndaj tyre dhe për të maksimalizuar asistencën që marrin”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Megjithëse udhëheqësit izraelitë nuk janë kundër ndihmave humanitare për Gazën, ata thonë se nuk mund të ketë armëpushim për sa kohë që Hamasi vazhdon të mbajë peng 240 persona. Kjo është një kërkesë edhe e familjarëve të pengjeve dhe me mijëra izraelitëve që i mbështesin ata. Analistët thonë se armëpushimi do të ishte një gabim strategjik.

“Një armëpushim për Izraelin do të thotë thjesht se fiton Hamasi, se ia hedh pa u ndëshkuar për vrasjet në masë dhe se Izraeli humb. Nuk do të jemi në gjendje të rivendosim sigurinë në territorin tonë, dhe as nuk do të jemi në gjendje të rikthejmë rolin tonë parandalues në rajon. Armiqtë tanë do të kuptojnë se sa herë na godasin dhe ne fillojmë të vetëmbrohemi, komuniteti ndërkombëtar do të na lidhë duart me një armëpushim”, thotë Michael Oren, ish-ambasador i Izraelit në Shtetet e Bashkuara.

Por, dikur luftimet do të ndalen dhe dikush do të duhet të drejtojë rindërtimin në Gazë dhe administrimin e 2.3 milionë banorëve.

Shtetet e Bashkuara mendojnë se Autoriteti Palestinez, që tani qeveris Bregun Perëndimor, do të marrë përsipër rrjedhimisht edhe Gazën. Por, vëzhguesit thonë se Autoriteti Palestinez shihet si i dobët dhe i korruptuar nga shumica e palestinezëve. Edhe Kryeministri izraelit Netanyahu është kundër drejtimit të Gazës nga Autoriteti Palestinez.

Analistët thonë se një zgjidhje e përkohshme mund të arrihet nëpërmjet një lloj autoriteti qeverisës ndërkombëtar.

“Do të duhet kohë derisa të krijohet një sovranitet i fortë në terren, një pushtet vendor. Pasi Izraeli thotë se nuk dëshiron të qeverisë Rripin e Gazës, nuk dëshiron të qëndrojë në Rripin e Gazës. Komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara nuk shohin një të ardhme në ripushtimin e Gazës. Pra, në fund të ditës, Rripi i Gazës do të duhet të qeveriset nga palestinezët, por do të duhet kohë që të krijojmë, të inkurajojmë, apo të mbështesim ngritjen e një strukture pushteti vendor në Rripin e Gazës”, thotë Avi Melamed, analist për sigurinë në Lindjen e Mesme.

Tani për tani, luftimet e ashpra vazhdojnë në Gazë, ndërsa viktimat vazhdojnë të shtohen nga të dyja palët dhe pa një fund të afërt./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA