Spitali më i madh i Gazës duhet të mbrohet, deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Luftimet e ashpra mes forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit kanë bërë që Shifa të rrethohet, duke detyruar mijëra vetë që të largohen. “Shpresa ime dhe pritshmëritë e mia janë që të ketë veprime më pak ndërhyrëse” nga forcat izraelite, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë nga Zyra Ovale. Prej tre ditësh, spitali Shifa ka mbetur pa energji elektrike e pa ujë. Si të mos mjaftonte kjo, shkëmbimet e zjarrit dhe bombardimet jashtë godinës e kanë vështirësuar akoma edhe më shumë situatën.
“Ne nuk duam të shohim të luftohet nëpër spitale”, u shpreh dhe këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Ne duam që pacientët të jenë të mbrojtur. Duam që spitalet të jenë të mbrojtura. Ne kemi biseduar me qeverinë izraelite për këtë çështje dhe ata kanë thënë se ndajnë mendimin se nuk duan të shohin luftime në spitale”.
Por Izraeli thotë se e ka një argument edhe për këtë rast. Shteti hebre pretendon se spitali kryesor i enklavës po përdoret nga Hamasi për qëllime ushtarake. Madje sipas Tel Avivit, grupi i konsideruar terrorist nga SHBA-ja e BE-ja, ka ndërtuar edhe një qendër të madhe komplekse komanduese nëntokësore poshtë spitalit e cila lidhet përmes tuneleve. Forcat izraelite të mbrojtjes shpërndanë dhe filmime që tregojnë nga afër në terren sesi zbulojnë një tunel të përdorur nga militantët shumë pranë spitalit pediatrik Rantisi, po në Gaza.
“Jam këtu në qytetin e Gazës, kjo që shihni në pamje është shtëpia e një terroristi të lartë, i cili është kreu i operacioneve detare që qenë pjesë e sulmit kundër Izraelit. Shtëpia e tij është ngjitur me një shkollë dhe më pak se 200 metra larg spitalit të Rantisit. Dhe këtu, shumë pranë shtëpisë, gjendet një tunel nëntokësor.Tuneli është i pajisur me energji elektrike; ne diktuam panelet lart dhe pamë se ku çonin lidhjet”, tregoi një ushtar izraelit.
Edhe pse zyrtarët izraelitë deklarojnë se janë të gatshëm të lejojnë evakuimin e personelit dhe pacientëve, palestinezët insistojnë nga ana tjetër se herë janë tentuar evakuime, forcat izraelite kanë hapur zjarr.
Sipas tyre po kështu, është mjaft e rrezikshme të zhvendosen pacientët në gjendje më të rëndë. Aktualisht, spitali i Shifasë ka mbetur pa karburant, e sipas mjekëve atje, pacientët kanë filluar të vdesin. Shifa është spitali kryesor i një sistemi të kujdesit shëndetësor kryesisht të rrënuar pas vitesh konflikti, mungesës së financimit dhe një bllokade izraelito-egjiptiane që synon dobësimin e Hamasit.
Ai ka mbi 500 shtretër dhe ofron shërbime si skanime MRI, dializë dhe një njësi të kujdesit intensiv. Në këtë spital kryhet afërsisht gjysma e të gjitha operacioneve mjekësore që zhvillohen në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi. Pas shpërthimit të luftës, drejt tij u dyndën me dhjetëra mijëra vetë, një pjesë e të cilëve megjithatë tani janë zhvendosur drejt jugut.
Top Channel