Rama nga Pogradeci: Vitin tjetër do të kemi më shumë turistë, investoni në agroturizëm! Duhen prodhime dhe shërbime

13/11/2023 16:59

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Pogradec, ku foli kryesisht për turizmin dhe investimet në këtë sektor të rëndësishëm.

“Është e rëndësishme të ndajmë disa shifra të thjeshta për të parë se sa shumë hapa përpara kemi bërë por edhe për të kuptuar se çfarë është arritur është ‘frut’ i një përpjekje të përbashkët por ka shumë më tepër për të bërë. Këtë vit rezonon me gjithë territorin e Shqipërisë, është një vit sepse vazhdojmë të kemi një numër mbresëlënës turistësh që tregon se Shqipëria është ngritur në një nivel tjetër dhe është një destinacion turistik që e gjithë bota na shikon kështu”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se ishte i paimagjinueshëm fakti që Shqipëria do të kishte këtë “boom” turistik këtë vit, ku njerëz nga e gjithë bota zgjodhën vendin tonë. Ai po ashtu ritheksoi faktin që pritet që deri në fund të dhjetorit numri i turistëve që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit të jetë 10 milion, turistë që sjellin përfitime në aspektin ekonomik.

“Edhe pas sezonit veror vazhdojmë të kemi numër inkurajues të turistëve që vijnë në Shqipëri. Është diçka që duhet të na japë shumë kurajo në vitet në vijim pasi ka lindur një industri e re e mirëfilltë. Deri disa vite përpara ne mendonim se cilët do të ishin arritjet e viteve në vijim në këtë fushë do na duhej një kurajo e paimagjinueshme që në vitin 2023 do të arrinim që pa ardhur nëntori dhe dhjetori do të kishim 9 milion turistë, nëse vazhdon kështu do kemi 10 milion turistë. Këta turistë janë një mundësi e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik, ku keni qenë vetë dëshmitarë që jo vetëm Korça dhe Pogradeci kanë mirëpritur më shumë se çdo herë tjetër turistë të thuaj”, u shpreh Rama.

Por gjithashtu ai bëri thirrje që të shtohen investimet, kryesisht në agroturizëm por edhe në shërbime të tjera, pasi turistët e shumtë do t’i kërkojnë.

“Dhe fakti që ikin me përshtypjet më të mira është lajm akoma më i mirë. Jemi një vend shumë i vogël në skenën e madhe të botës dhe ne do presim gjithmonë e më shumë turistë dhe konsumatorë që kanë nevojë të ushqehen, të flenë dhe të blenë për të marrë kujtime me vete. Ky është një zinxhir i madh ku të gjithë mund të përfshihen se nuk ka asnjë cep të Shqipërisë që nuk e ka fuqinë për të tërhequr vizitorë apo turistë. Ka lindur një mundësi e re e madhe, për prodhuesit shqiptar. Mundësia për të fituar shumë e më shumë. Pamë zhvillimin e punimeve në një kantier të rëndësishëm në zonën e Tushemishtit. Kemi të tjera projekte që do të realizohen hap pas hapi”, sugjeroi ai.

“Nëse këtë vit Pogradeci , Korça, Maliqi, Devolli, Erseka ka njohur në hop të ri të turizmit duhet të jemi të përgatitur që vitin e ardhshëm do jenë edhe më shumë. Duhet më shumë prodhim dhe shërbime. Edhe një mundësi që po shtrihet shumë përtej zonave tradicionale. Sot të investosh në një agroturizëm është sukses i sigurt, në vend të mbash kazmën apo mistrinë apo barrën e të punuarit për dikujt tjetër në botë dhe ke mundësinë ta bësh në fshat, është e sigurt që do dalësh me diçka. Për ata që janë në moshë të re çfarë vlere ka të punosh për të tjerët dhe në fund të mbetet asgjë. E kemi një synim të mbështetur. Kemi në dorë raportin e fondit ndërkombëtar monetar që thotë se Shqipëria ka një ndër kompanitë me ekonominë më rezistente”, shtoi kryeministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA