Numri rekord i turistëve ne 2023-shin e vendos Shqipërinë në rrugën e duhur për të rrëmbyer titullin e “Mbretëreshës së Turizmit 2024”, shkruan e përditshmja italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”.
Operatorët vendas, thuhet aty, raportuan një rritje prej 35% të kontratave të garantuara për turizmin e organizuar për vitin e ardhshëm.
“Në Sarandë, qyteti jugor i Shqipërisë dhe një destinacion i preferuar për bashkatdhetarët tanë, disa objekte tashmë janë plotësisht të rezervuara për gushtin. Edhe në Vlorë, jam i sigurt se në 2-3 muaj do të kemi një pjesë të mirë të akomodimeve të rezervuara”, thuhet në shkrim.
Ka shumë faktorë që përcaktojnë suksesin e një destinacioni, e një prej tyre është aksesueshmëria, që tani, është lehtësuar ndjeshëm. Sipas artikullit, po shfaqen shumë operatorë turistikë që nuk e kishin menduar kurrë Shqipërinë si një destinacion turistik në rritje.
Pritet një verë dhe një pranverë më e populluar, ndërsa së fundi po krijohet edhe binjakëzimi kulturor me qytetet.
Çmimet e vendosura këtë vit në kontratat e garancisë për sezonin e ardhshëm kanë shënuar një rritje drastike që varion nga 15 në 25%” dhe kjo do të jetë si pasojë e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe rritjes së kostove.
Sipas ekspertëve, në tetë muajt e parë të këtij viti, italianët ishin grupi i dytë më i madh i turistëve, menjëherë pas shqiptarëve nga Kosova. Një tjetër sukses i turizmit shqiptar konsiderohet planifikimi, theksohet në shkrim, ne të cilin kujtohet gjithashtu se qeveria shqiptare sapo ka firmosur një marrëveshje me “ITB Berlin”, panairin më të madh të turizmit në botë.
Top Channel