Hasani uron Cameron dhe Cleverly për postet në qeverinë britanike: Forcojmë marrëdhëniet Shqipëri-MB

13/11/2023 15:31

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka uruar ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron u emërua sot në postin e sekretarit të Jashtëm në Britani.

Hasani gjithashtu ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“I uroj suksese David Cameron, me emërimin e tij si Sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit dhe urimet më të mira për James Cleverly për rolin e tij të ri si Sekretar i Brendshëm. Mezi presim të vazhdojmë përpjekjet tona bashkëpunuese për të forcuar marrëdhëniet Shqipëri-MB dhe për të mbështetur bashkëpunimin për çështjet rajonale dhe të sigurisë“, ka shkruar ministri në një postim në X, dikur Twitter.

Vendosja e Cameron si sekretar i Jashtëm dhe Clevery si sekretar i Brendshëm  vjen si pasojë e një “furtune” ndryshimesh në qeverinë britanike, pasi shefi aktual i ekzekutivit Rishi Sunak, riformatoi kabinetin e tij qeveritar.

Pas marrjes së detyrës, Cameron bëri një postim në rrjetin social “X”, ku u shpreh se ndonëse mund të ketë pasur mospajtime me Sunak, ai është një “udhëheqës i aftë”.

“Kam qenë jashtë vijës së parë në politikë për shtatë vitet e fundit, por shpresoj që përvoja ime si udhëheqës konservator për njëmbëdhjetë vite dhe si kryeministër për gjashtë vite, do të më shërbejë të ndihmoj kryeministrin”, tha ai.

Riorganizimi vjen pas shkarkimit të Suella Braverman këtë mëngjes, disa ditë pasi ajo shkroi një artikull në gazetën The Times, duke kritikuar qëndrimin e policisë gjatë protestave pro palestineze në Londër.

Me shkarkimin e Braverman dy ministra të tjerë kanë kërkuar të largohen. Ministri për Shkollat, Nick Gibb, deklaroi se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe kërkoi të lërë postin e ministrit, duke shtuar se mbetet “mbështetës i lidershipit të kryeministrit”. Dorëheqjen e ka kërkuar edhe Neil O’Brien, ministri i Shëndetësisë, me arsyetimin se dëshiron të kalojë më shumë kohë në zonën e tij elektorale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA