Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.
Takimin tradicional e drejton kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Takimi mbahet vetëm disa ditë pas Komisioni Europian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit, ku përgjithësisht vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtimin e Serbisë e deri diku, edhe të Bosnje e Hercegovinës, si dy vendet me nivelin më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e bllokut në fushën e politikës së jashtme.
Vendet e tjera si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë një përshtatje pothuajse të plotë me qëndrimet e BE-së, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës. Edhe pse Kosova nuk ka një detyrim formal, ajo po ashtu i ka mbështetur qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme, përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë, çka është vlerësuar nga Brukseli.
Në prag të takimit të sotëm, disa vende të BE-së kanë dërguar së bashku një “non-paper”, përmes së cilit kërkojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme para se këto shtete të bëhen anëtare të bllokut europian. Letra është nënshkruar nga Austria, Kroacia, Republika Çeke, Italia, Greqia, Sllovenia dhe Sllovakia.
Këto shtete kanë propozuar që ministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor të ftohen më shpesh në takime me kolegët e tyre nga BE-ja, përfshirë edhe në takime joformale dy herë në vit. Po ashtu, është kërkuar edhe pjesëmarrja e herë pas hershme e përfaqësuesve të shteteve të rajonit në takimet e Komitetit për siguri dhe politikë të BE-së.
Para se të takohen me kolegët e tyre nga Ballkani Perëndimor, ministrat e Jashtëm të BE-së do të zhvillojnë një takim në Këshillin e Punëve të Jashtme, ku temë kryesore do të jetë konflikti Izrael-Hamas dhe situata humanitare në Rripin e Gazës.
Top Channel