Papa Françesku bëri sërish thirrje të dielën që ’u jepet fund luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, duke theksuar se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të jetojë në paqe.
“Le të heshtin armët, kurrë nuk do të sjellin paqe dhe le të mos përhapet konflikti. Mjaft, mjaft vëllezër, mjaft!”, tha Papa gjatë lutjes në Vatikan.
“Në Gaza duhen ndihmuar menjëherë të plagosurit, strehimoret duhet të mbrohen, më shumë ndihma humanitare duhet të dërgohen te popullata e rraskapitur, pengjet duhet të lirohen”, vazhdoi ai, duke kujtuar se në mesin e njerëzve të marrë peng nga Hamasi gjatë sulmit të befasishëm të 7 tetorit kundër Izraelit, “ka shumë të moshuar dhe fëmijë”.
“Çdo qenie njerëzore, qofshin të krishterë, hebrenj, myslimanë, çfarëdo qoftë populli ose feja, çdo qenie njerëzore është e shenjtë, është e çmuar në sytë e Zotit dhe ka të drejtë të jetojë në paqe”, tha Papa.
“Çdo ditë mendimet e mia shkojnë në situatën shumë të rëndë midis Izraelit dhe Palestinës. Jam pranë të gjithë atyre që vuajnë, palestinezët dhe izraelitët. Unë i përqafoj ata në këtë moment të errët dhe lutem shumë për ta”, tha Papa.
“Le të mos e humbim shpresën. Të lutemi, të punojmë pa u lodhur që ndjenja e njerëzimi mund të mbizotërojë mbi zemër-gurësinë”, përfundoi Papa.
Top Channel