Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen javën e ardhshme në Bruksel, në kuadër të diskutimeve dhe diplomacisë ecejake që po vazhdon për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Raundi i ri dialogut, në nivel kryenegociatorësh në Bruksel vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takime të ndara në Bruksel më 26 tetor, me liderët e BE-së, Presidentin e Francës, Kancelarin e Gjermanisë dhe kryeministren e Italisë. Scholz, Macron dhe Meloni, i kërkuan Kosovës që ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa, Serbisë të njohë de facto pavarësinë e Kosovës.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ishte në Kosovë dy ditë, të hënën dhe deri të martën vonë, ku kishte takime të ngjeshura me përfaqësues të qeverisë, ata të institucioneve ndërkombëtare civile dhe ushtarake, ambasadorë të vendeve perëndimore dhe përfaqësues të partive politike opozitare.
Drafti i statutit të Asociacionit që tashmë u është dorëzuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nuk është bërë publik dhe disa nga përfaqësuesit e partive opozitare ndonëse ishin në takim me Lajçak, po kërkojnë më shumë hollësi për përmbajtjen e projekt-statutit.
I vetmi që tha pas takimit se e ka lexuar draftin, ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se qëndrimin e tij për Asociacionin do ta bëj publik pas shqyrtimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pas takimit të 26 tetorit në Bruksel me udhëheqësit kryesor evropian, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se “ishte i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin.
Top Channel