Në Gjirokastër këto ditë po përfundon një kamp restaurimi me pjesëmarrjen e rreth 100 studentëve të arkitekturës nga Shqipëria.
rezultate të rëndësishme sa i përket rilevimit të rreth 38 banesave monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë në rrezik shembjeje.
Nevini, Klevisi dhe grupi i tyre i punës po kryejnë matje brenda një banese 250 vjeçare në lagjen Dunavat.
“Punën e kemi nisur me gjetjen e problematikave në struktura dhe skanimin e tyre në fotogrametri. Kemi pasur vështirësi me aksesin në fasadën e pasme dhe krahun e djathtë për arsye të bimësisë e cila ka dalë jashtë kontrollit a më pas u vështirësuam sepse kishim mungesë aksesi në disa nga dhomat e vilës sepse dyshemetë e tavanet kanë probleme strukturore”, tha studenti Nevin Muja.
“Ne kemi ardhur në Gjirokastër në kuadër të lëndës restaurim i trashëgimisë kulturore dhe po merremi me disa banesa në Gjirokastër fillimisht me rilevimin dhe faza tjetër do të jetë restaurimi. Tani po bëjmë dixhitalizimin e planimetrive dhe rilevimin e imazhet 3D”, tha studenti Klevis Alibali.
Ky është një kontribut me përfitim të dyanshëm shpjegon profesori i restaurimit që udhëheq këtë grup sepse mundëson njohjen me elementë specifikë të traditës së ndërtimit duke u fokusuar tek muret, fasadat, portat dhe tek materialet e suvasë, drurit e gurit. Ndërsa pronarët e këtyre banesave mund të përfitojnë përveç planit edhe ide inovative sesi mund ti rijetëzojnë banesat.
“Kjo është faza e dytë e projektit të nisur në kuadër të restaurimit të trashëgimisë kulturore. Studentët janë aktualisht duke bërë korrigjim të rilevimeve dhe analiza patologjike. Ne jemi duke ndjekur punën nga ana shkencore por edhe nga ana teknike. Projektet do kalojnë edhe fazën e punës në studio ku studentët do të sjellin dy nënprojekte që është rikonstruksion, përforcim i strukturës e më pas restaurim, rijetëzim dhe ri adaptim i zonës”, tha inxhinieri Nikolla Vesho.
E ndërsa qyteti i Gjirokastrës po përball një ritëm mjaft të lartë rrënimi i lidhur me banesat historike me shumë pronarë çdo kontribut sado i vogël është jetik.
Kampi është i ndarë në dy faza dhe përfshin studentë në nivele të ndryshme studimi. Përveç analizave të thelluara strukturore dhe imazheve në 3D kjo pjesëmarrje masive e profesionistëve të rinj është duke ndërgjegjësuar banorët për ruajtjen e teknikave dhe materialeve origjinale. Gjirokastra po përball probleme madhore të mirëmbajtjes së objekteve monumente kulture të lidhura me praninë e shumë pronarëve, mungesës së fondeve dhe planeve të rijetëzimit.
Top Channel